Demokraci Plus jep disa rekomandime për organizimin e zgjedhjeve gjatë pandemisë Covid-19

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 të këtij muaji, Demokraci Plus publikoi raportin lidhur me organizimin e këtyre zgjedhjeve në kohë pandemie, duke sjellur praktikat më të mira nga vende të ndryshme të botës si: Maqedonia Veriore, Serbia, Franca dhe Korea e Jugut, të cilat kanë mbajtur zgjedhje gjatë pandemisë COVID-19.

Njëkohësisht, për t’i rekomanduar institucioneve publike, sidomos, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi parandalimin e infektimit të qytetarëve me këtë virus gjatë ditës së zgjedhjeve. Në këtë kontekst, për një organizim sa më të mirë të procesit zgjedhor, Demokraci Plus liston këto rekomandime për KQZ:

  • Reduktimin e numrit të komisionerëve dhe vëzhgueseve, për të shmangur grumbullimin e shumë personave brenda hapësirave të mbyllura;
  • Zgjatjen e orarit të votimit nga ora 07:00 – 21:00, për të shpërndarë votuesit në një interval më të gjatë kohor;
  • Të bëhet thirrje që personat mbi moshën 65 vjeçare të votojnë në orët e paradites, kurse të tjerët të cilët nuk e kanë të domosdoshme votimin gjatë paradites, të votojnë pasdite. Në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e përhapjes së virusit tek personat më të vjetër në moshë;
  • Të shtohet numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve me qëllim të reduktimit të votuesve të cilët frekuentojnë këto qendra dhe atyre të cilët presin në radhë për të votuar;
  • Të rregullohet mënyra e votimit për personat e vetë-izoluar, duke i angazhuar ekipet mobile të KQZ-së me përkrahje nga stafi i Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që t’u ofrohet mundësia e barabartë e votimit me personat e tjerë;
  • Vendosja e dezinfektueseve në hyrje dhe dalje të çdo vendvotimi;
  • Vendosja e mburojave plastike në mes të votuesve dhe komisionerëve;
  • Dezinfektimi i objekteve çdo tri orë, si: dorezat e derës së vendvotimit, kabina e votimit, kutia e fletëvotimeve, vulat, spërkatësit për identifikim, tryezat etj.

Ndërsa, për Qeverinë D + rekomandon që për të shmangur grumbullimin e personave pas përfundimit të procesit të votimit, të vendoset ora policore në tërë vendin duke filluar nga ora 21:30. Kjo me qëllim evitimin e gabimit që është bërë në këtë aspekt gjatë zgjedhjeve lokale në Komunën e Podujevës.

Kurse për votuesit: mbajtja e maskave gjatë procesit zgjedhor, votuesit duhet të marrin stilolapsin me vete nga shtëpia, për të shmangur kështu prekjen e një objekti nga shumë persona, të evitojnë grumbullimet dhe të respektojnë distancën prej 1.5 metra në pritje për votim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme