Demokraci Plus kërkon nga Presidentja Osmani shkarkimin e Sami Kurteshit

Prishtinë | 26 Gus 2021 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Demokraci Plus përmes një shkrimi në Facebook kanë kërkuar nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani shkarkimin e anëtarit të KQZ-së Sami Kurteshi, raporton Ekonomia Online.

Demokraci Plus konsiderojnë që anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, me veprimet e tij, është duke dëmtuar seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së.

Kërkesa e plotë:

Përkundër që tashmë janë shpallur zgjedhjet e lokale, dhe nuk është e rekomandueshme zëvendësimi i anëtarëve të KQZ-së, por mbi të gjitha duhet ruajtur integriteti i KQZ dhe besimi i qytetarëve në këtë institucion. Ne konsiderojmë që anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, me veprimet e tij, është duke dëmtuar seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, z. Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mos respektimit të masave për mbrojtje nga COVID-19.

Një ditë më herët, z. Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd. Ndryshimi i deklaratave nga një i emëruar publik është moralisht e gabuar. Ky nuk është rasti i vetëm kur z. Kurteshi dëmton integritetin e KQZ-së. I njëjti, në vazhdimësi në mbledhjet e KQZ-së ka përdorur gjuhë fyese dhe përçarëse, mizogjene, dhe bullizëm.

Andaj, kërkojmë nga Presidentja Osmani-Sadriu, që duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nenin 61 paragrafi 5, shkronja d, të shkarkojë anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshin, për të mbrojtur statusin dhe integritetin e KQZ-së.

Të ngjashme