Demokraci Plus publikon raportin “Kontratat emergjente dhe ulja e konkurrencës në prokurim publik përgjatë pandemisë”

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Demokraci Plus të enjten ka publikuar raportin “Kontratat emergjente dhe ulja e konkurrencës në prokurim publik përgjatë pandemisë”, ku janë prezantuar të gjeturat nga analizimi i tenderëve që kanë të bëjnë me luftimin e pandemisë me theks të veçantë në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Raporti tregon që si rezultat i përdorimit të procedurës së negociuar (emergjente) ka pasur numër të vogël të ofertave, ndërsa çmimet më të larta krahasuar me çmimet e kontratave me procedurë të hapur. Gjithashtu, të gjeturat tregojnë që pavarësisht që negocimi i kushteve të kontratës, kryesisht për ulje të çmimeve është në duar të autoriteteve kontraktuese, mungesa e tyre dëshmon për mosvullnetin e të njëjtave që ta ruajnë buxhetin e shtetit.

Të dhënat në raport tregojnë se nga marsi i vitit 2020 deri në marsin e vitit 2021, janë nënshkruar 268 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë (apo kontrata emergjente) me një vlerë mbi 18 milion euro. D+ e vlerëson si shqetësuese, që nga 268 kontrata, të cilat janë lidhur me procedurë emergjente, 27 prej kompanive fituese nuk janë të specializuara në fushën për të cilën janë kontraktuar.

Gjatë periudhës kohore korrik-dhjetor 2020, për një maskë të thjeshtë, çmimi mesatar që është paguar përmes kontratës së hapur është 0.14 euro, ndërsa me procedurë të negociuar 0.29 euro, dallim ky prej 207%. Ndërkaq për një maskë pak më të avancuar, ajo me filtër FFP2, çmimi mesatar ka qenë 1.53 euro, ndërsa në procedurë të negociuar është blerë me 4.01 euro, ose 262% më shtrenjtë

Të ngjashme