Demokracia Plus kërkon përgjegjësi për “listat e papastruara” në zgjedhjet e fundit

Prishtinë | 16 Sht 2017 | 10:20 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji për Zgjedhjet ka 10 vjet që është miratuar, mirëpo ai nuk është zbatuar tërësisht në praktikë. Një prej neneve të këtij ligji parasheh që të gjithë kandidatët të cilët kanë vendime përfundimtare nga gjykatat e Kosovës për shkak të kryerjes së veprave penale nuk mund të certifikohen nga Këshilli Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të kandiduar në zgjedhjet lokale apo nacionale, shkruan EkonomiaOnline.

Ditë më parë, konform këtij neni KQZ-ja decertifikoi 86 kandidatë të cilët ishin certifikuar jave për parë për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Decertifikimi i këtyre kandidatëve erdhi pasi KQZ-ja dërgoi listat e kandidatëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ndërsa kjo e fundit pas analizimit erdhi në përfundim se 86 kandidatë nuk duhet të certifikohen pasi janë të dënuar për vepra të ndryshme penale në tre vitet e fundit.

Mirëpo një listë të tillë për verifikim KQZ nuk e dërgoi në KGJK për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, por as për zgjedhjet e mbajtura më herët.

Për këtë moszbatim të ligjit, Valmir Ismajli nga Demokracia Plus (D+) mendon se duhet të marrë përgjegjësi dikush madje edhe të shkarkohet nga puna.

“Këtu dikush duhet të marrë përgjegjësi ose duhet të marrë KQZ-ja nëse nuk ka dërguar më herët lista të tilla në KGJK ose dikush nga KGJK që nuk i ka kthyer me kohë reagimet për KQZ-në. Aq sa unë kam informata KQZ thotë se çdo herë ka dërguar lista te KGJK-ja mirëpo nuk ka marr informata mbrapa nga ky institucion. Tani kjo është një çështje që duhet dikush të marrë përgjegjësinë në të dy institucionet dhe normalisht dikush të jap përgjegjësi e pse jo edhe të shkarkohet nga detyra kur kemi raste të tilla sepse kjo është problematike mjaft e madhe.

Një prej kandidatëve të decertifikuar është ai për kryetar të komunës së Prizrenit, Zafir Berisha, i cili nga KQZ ka marrë dritën e gjelbër për të qenë deputet i Kuvendit të Kosovës por jo edhe për të qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit.

Deputeti nga radhët e NISMA-së,vendimin e KQZ-së për ta decertifikuar e ka quajtur të ndikuar politikisht.

Por Valmir Ismajli nga Demokracia Plus mendon se rasti i Berishës është rastësi. Ndikimin Politik ai nuk e përjashton në rast se kjo do t`i ndodhte një kandidati me ndikim më të madh politik.

“Është mirë që ka filluar të zbatohet ligji dhe është paksa problematike kjo që Berisha vetëm sa e ka kaluar dy tre muaj më herët një procedurë të tillë dhe të mos ta harrojmë që edhe Berisha edhe kandidatët e tjerë e kanë nënshkruar më herët një deklaratë ku thuhet se nuk janë ndër hetime ose nuk kanë pasur një vendim nga gjykata në tri vitet e fundit. Do të thotë në një farë forme edhe këta kanë gënjyer kur e kanë nënshkruar një deklaratë të tillë sepse kanë qenë të vetëdijshëm se e kanë pasur një vendim të tillë. Prandaj dua të besoj qe kjo nuk ka ndonjë prapavijë politike më shumë ka rastisur të jetë Berisha. Nuk e përjashtoj mundësinë që po të kishte ndonjë figurë politike më të madhe, më të rëndësishëm nga subjektet politike që ndoshta subjektet politike do të bënin presion në KGJK që të mos e dërgonin në KQZ. Nuk e përjashtoj një gjë të tillë mirëpo kjo nuk mendoj se ka ndodhur me Berishën duke e parë që ndikimi i tij politik ka rënë kohëve të fundit”,tha Ismajli për EO.

Në dy mbledhjet e fundit të KQZ -së nga anëtarët u theksua edhe njëherë kundërshtitë që kanë mes vete ligji për zgjedhjet me ligjet e tjera.
Për këtë problem është i njoftuar edhe Ismajli i cili thotë se ndryshimi i ligjit për zgjedhjet duhet të jetë prioritet për legjislativin që sapo ka filluar punën..

“Ka një numër shumë të madh të çështjeve që duhet të reformohen në kuadër të ligjit zgjedhor. Ajo çka duhet bërë është që ligji zgjedhor duhet të jetë prioritet ose reforma zgjedhore në përgjithësi duhet të jetë prioritet i këtij kuvendo që vetëm sa ka filluar punën dhe normalisht në reformën zgjedhore duhet të jenë të përfshira edhe subjektet politike, por jo subjektet politike ta bëjnë një reformë zgjedhore të bazuar në interesat aktuale dhe personale të liderëve politikë”, tha Ismajli nga D+.

KQZ edhe sot do të vazhdojë me decertifikimin e kandidatëve të cilët kanë bërë kërkesë për tërheqje nga listat e certifikuara të subjekteve politike.

Të ngjashme