Demokracia Plus: Ministria e Drejtësisë jashtëligjshëm shkurtoi afatin për konsultim me publikun

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐚 𝐞 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭ë𝐬𝐢𝐬ë 𝐣𝐚𝐬𝐡𝐭ë𝐥𝐢𝐠𝐣𝐬𝐡ë𝐦 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭𝐨𝐧 𝐚𝐟𝐚𝐭𝐢𝐧 𝐩ë𝐫 𝐤𝐨𝐧𝐬𝐮𝐥𝐭𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐧 𝐩ë𝐫 𝐏𝐫𝐨𝐣𝐞𝐤𝐭𝐥𝐢𝐠𝐣𝐢𝐧 𝐩ë𝐫 𝐁𝐲𝐫𝐨𝐧ë 𝐒𝐡𝐭𝐞𝐭ë𝐫𝐨𝐫𝐞 𝐩ë𝐫 𝐕𝐞𝐫𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐢𝐬𝐤𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐏𝐚𝐬𝐮𝐫𝐢𝐬ë 𝐬ë 𝐏𝐚𝐣𝐮𝐬𝐭𝐢𝐟𝐢𝐤𝐮𝐞𝐬𝐡𝐦𝐞

Ministria e Drejtësisë ka vendosur në platformën e konsultimeve publike “Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, dhe për pranimin e konsultimeve me shkrim ka përcaktuar afatin prej vetëm njëmbëdhjetë (11) ditë kalendarike ndërsa llogaritur si ditë punë janë vetëm shtatë (7) ditë, nga data 10 dhjetor deri më 20 dhjetor 2021. Vendosja e një afati kaq të shkurtër për pranimin e komenteve me shkrim nga publiku për një projektligj kaq të rëndësishëm, është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë nr. 05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik (Neni 9, pika 1.1), ku përcaktohet se organi propozues i projektligjit (në këtë rast Ministria e Drejtësisë), duhet t’i mundësojë publikut kohë të mjaftueshme për komente, jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune që nga data e njoftimit për hapjen e konsultimit me shkrim. Gjithashtu sipas pikës 1.2 të të njëjtit nen, për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike.

Shkurtimi i afatit për konsultim me publikun për këtë projektligj në shtatë (7) ditë pune nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, përveçse është në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë, minon besimin e publikut në gjithë procesin e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Për më shumë, duke pasur parasysh se projektligji në fjalë mbulon një çështje komplekse dhe të rëndësishme e cila po ashtu nuk është rregulluar më herët në Kosovë, projektligji është dashur të lihet për konsultime publike të paktën për pesëmbëdhjetë (15) ditë pune.

Andaj, i bëjmë thirrje Qeverisë që të zgjasë afatin për të dhënë kohë të mjaftueshme për konsultime dhe kontribut me shkrim nga publiku.

Të ngjashme