Demokracia Studentore: Arsimi në Kosovë është degraduar nga politika

Prishtinë | 03 Dhj 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Organizata ”Demokracia Studentore” përmes një komunikate për media ka reaguar për rezultatin e dobët të PISA-s, dhe ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe ministrin e Arsimit për gjendjen e brishtë në sektorin e arsimit në përgjithësi.

Sipas kësaj organizate, arsimi në Kosovë është degraduar pikërisht nga ministria e Arsimit derisa nuk ka hartuar ndonjë plan strategjik për ta rritur cilësinë e saj.

“Natyrisht, si në çdo vend, edhe në Kosovë përgjegjësinë kryesore për t`i zgjidhur problemet me të cilat shoqërohet arsimi , e ka Ministria e Arsimit dhe Qeveria. Të gjithë e dimë që sistemi arsimor në Kosovë është në krizë të thellë, por çështja është se si të dalim nga kjo krizë. Kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj ka premtuar se do t’i jep prioritet sektorit te arsimit por tashmë po dëshmohet se ishte vetëm premtim fushate”, thuhet në komunikatën e Demokracisë Studentore.

Mexhid Ramusa përfaqësues nga kjo organizatë nëpërmjet kësaj komunikate ka deklaruar se defektet kryesore janë tek Ministria e Arsimit dhe strukturat e saj, andaj duhet të ndryshojë qasjen që ka në udhëheqjen e sistemit arsimor.

“Për t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor nuk mjafton vetëm të analizohet dhe proklamohet, por edhe të veprohet konkretisht dhe te merret prokuroria me inspektorët e korruptuar. Edhe ministria jonë si shumica e ministrive të shteteve të tjera evropiane ka pranuar reformat në sistemin arsimor, por ky sistem te ne reformimi si duket ka mbetur vetëm në letër”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme