Demokracia Studentore kërkon shkarkimin e prokurorit që e quajti studenten ”Të poshtër”!

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të studenteve Demokracia Studentore do të organizojë peticion për shkarkimin e prokurorit Rexhep Maqedonci.

Sipas kësaj organizate, arsyeja e këtij peticioni, është se prokurori Rexhep Maqedonci ka fyer rëndë një studente që e ka denoncuar një profesor për ngacmim seksual.

”Prokurori Rexhep Maqedonci, në vend se të iniciojë hetime të pavarura dhe objektive në rastin e raportimit të ngacmimit seksual, ka vendosur që të bëjë “fajësimin e viktimës“ për denoncim, duke e mbrojtur kështu direkt të denoncuarin ‘’Profesorin’’ në hetim si dhe duke frikësuar dhe shantazhuar viktimën e ngacmimit seksual që ta vazhdoj raportimin dhe kërkimin e drejtësisë në lidhje me pohimin se profesori e ka ngacmuar seksualisht”.

Siç thekson Demokracia Studentore në deklaratën e tij, prokurori kishte theksuar se raportimi po bëhet 3 vjet pas përjetimit të ngacmimit seksual, dhe këtu kishte shfrytëzuar rastin të kërcënojë edhe bashkëshortin e viktimës.

”Sipas Ligjit Kundër Diskriminimit në Kosovës dhe Direktivës së Bashkimit Europian 2002/73/EC për Trajtimin e Barabartë, të plotësuar nga Direktiva e Bashkimit Europian, e datës 5 korrik 2006 për Zbatimin e Parimit të Trajtimit të Barabartë të Grave dhe Burrave në Punësim dhe Profesion, personat që ankohen për diskriminim apo ngacmim para gjykatës apo ndonjë institucioni tjetër juridik, ia lënë barrën e provës personit kundër të cilit parashtrohet ankesa, andaj për thyerjen e ligjit nr. 2002/73/EC për trajtimin e barabartë ne si organizatë për mbrojtjen e të drejtave të studenteve do të kërkojmë shkarkimin e këtij prokurori pasi që për mes telefonit e ka mbrojtur të denoncuarin dhe e ka fajësuar viktimën!”, thuhet në kumtesën e dërguar.

Të ngjashme