Demolli: FSK-së i duhen 10 vjet për t’u transformuar në Ushtri

Prishtinë | 01 Nën 2016 | 12:24 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka thënë se nga miratimi i Ligjit për Forcën e Armatosur të Kosovës, Ministrisë së FSK-së i duhen 10 vjet tranzicion për të përfunduar procesin e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, Demolli ka folur për punën që po bën MFSK në këtë drejtim.

“Ushtria do të jetë jo voluminoze, por bashkëkohore, dhe sipas kritereve të NATO-s. Nuk do të paraqesë asnjë shqetësim në regjion; do të respektojë elementin gjinor dhe do të jetë multietnike”, tha Demolli.

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës ka ftuar ministrin Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, për të raportuar para komisionit për organizimin e ministrisë , të cilën e udhëheq, dhe për çështje që lidhem me FSK-në, kryesisht për përgatitjet e bëra për shndërrimin e FSK- në Forca të Armatosura të Kosovës.

Takimin e ka drejtuar kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, i cili e ka falënderuar ministrin Demolli për gatishmërinë e treguar për të raportuar para anëtarëve të Komisioni për Punë të Jashtme . Ministri shoqërohej nga komandanti i FSK-së gjeneral-lejtnant Rrahman Rama, e bashkëpunëtorë të tjerë, si dhe nga atasheu për mbrojtje në Ambasadën amerikane, koloneli Fisher.

“Ekziston vullneti i shumicës shqiptare dhe e komuniteteve pakicë, pos atij serb, për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK)-un”, ka theksuar ministri Demolli, i cili ka pohuar se ekziston edhe mbështetje e fuqishme e SHBA-së dhe e disa vendeve tjera të NATO-s për këtë transformim.

Ai tutje ka pohuar se Ministria e FSK-së ka përgatitur edhe infrastrukturën ligjore për këtë transformim, tepër të rëndësishëm për vendin, duke përmendur shprehimisht propozimin e amendamenteve kushtetuese , të cilat e kanë marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe përgatitjen e projektligjit për këtë transformim , i cili gjatë muajit tetor i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim dhe më pastaj për procedim në Kuvend për miratim.

Për të treguar seriozitetin e ministrisë, të cilën e drejton, sa i përket aktiviteteve të ndërmarra për shndërrimin e FSK-së në FAK, Demolli ka veçuar krijimin e Departamentit për Transformim dhe Standardizim, i cili ka marrë ekspertiza të vlefshme nga shumë vende të botës.

Duke shkoqitur elemente të veçanta që rregullon projektligji i propozuar për transformim, ka theksuar faktin që nga 2500 pjesëtarëve të FSK-së dhe 800 pjesëtarëve të efektivit rezervë që ka FSK-ja sot, FAK-u parashihet të ketë 5 mijë ushtarë dhe oficer të rregullt dhe 3 mijë pjesëtarë të efektivit rezervë. Ai, ndërkaq, ka shpjeguar se transformimi parashihet të realizohet për 10 vjet nga dita ndryshimeve kushtetuese që e mundësojnë këtë transformim, por ka theksuar se kohëzgjatje e realizimit të tij edhe mund të shkurtohet, varësisht nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe konjuktura e volitshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Tutje, ministri ka folur për shkollimin e kuadrit ushtarak për FAK-un, duke përmendur faktin që aktualisht pos Akademisë sonë ushtarake, që për shkollimin e kadetëve bashkëpunon ngushtësisht me Universitetin Amerikan në Prishtinë, kadetë nga Kosova shkollohen nëpër akademi ushtarake me renome, si në SHBA, Gjermani, Britani të Madhe Turqi e gjetiu.

Ai ka sjellë një varg shembujsh kur njësi të FSK-së janë treguar të suksesshme në ushtrime dhe gara ndërkombëtare (si Brigada e Reagimit të Shpejtë, në garat në Britani të Madhe), si dhe rastet kur kadetë tanë, nëpër akademi ushtarake të ndryshme, marrin çmime dhe vlerësime të larta të arritshmërisë. Si shenja të perspektivës së mirë të ushtrisë së ardhshme të Kosovës në kuadër të strukturave ushtarake të vendeve mike perëndimore, ministri ka përmendur shkollimin e kadetëve (gjatë këtij viti ) në 16 kurse të organizuara nga NATO.

Ai ka pohuar ndërkaq se FSK-ja ka lidhur 12 marrëveshje me vende të ndryshme , nga të cilat 10 janë anëtare të NATO-s dhe dy të tjera pretendonte për anëtarësim, marrëveshje këto që kanë të bëjnë me sigurinë. Ai ka theksuar shprehimisht se Kosova do të ketë rol të dorës së parë për trajnime,sa i përket kërkim-shpëtimit. Ministri ka veçuar bashkëpunimin shembullor të FSK-së me Forcat e Armatosura të SHBA-së, sidomos me Gardën Kombëtare të shtetit të Ajovës. Ai ka folur gjithashtu për përkushtimin e Ministrisë për anëtarësimin e FSK-së në mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë.

Demolli ka folur edhe për nivelin e përfaqësimit të atasheve tanë ushtarakë nëpër ambasadat e vendit tonë, duke u shprehur i bindur se numri i tyre sa vjen e do të shtohet, nga gjashtë sa janë detashuar aktualisht. Ministri, ndërkaq, ka theksuar në mënyrë të veçantë marrëdhëniet shumë të mira të FSK-së me KFOR-in, duke e ilustruar këtë me organizimin për herë të parë dhe tepër të suksesshëm të stërvitjeve të përbashkëta.

Kryetari i Komisionit, Reçica, por edhe anëtarët e tjerë: Qerim Bajrami, Ismet Beqiri, Blerta Deliu-Kodra, Pal Lekaj, Zafir Berisha dhe Luljeta Veselaj-Gutaj, si dhe Raxhep Selimi, joanëtar (në vend të anëtares, Puhie Demaku), e kanë vlerësuar lart raportimin e ministrit Demolli, punën e ministrisë, të cilën e drejton, dhe sidomos punën dhe rolin e FSK-së që ka për vendin. Që të gjithë, ndërkaq, kanë qenë të njëzëri për domosdonë e shndërrimit sa më të shpejtë të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke u angazhuar edhe për buxhet më të lartë për këtë Forcë, si dhe për infrastrukturën dhe për pajisjet individuale dhe kolektive të saj. Disa prej tyre e kanë vlerësuar tepër të gjatë periudhën dhjetëvjeçare të transformimit, ndërkaq nuk i kanë tumir rezervat deputetëve serbë për FAK-un, duke e vlerësuar atë forcë multietnike, në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, me përfaqësim ligjor të komuniteteve dhe me përfaqësim solid gjinor.

Ministri u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve,duke u shprehur optimist se Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen në mënyrën, siç e parasheh Kushtetuta dhe në interes të vendit tonë.

“Kemi kaluar edhe momente më të mira, kur më lehtë do ta transferonim FSK-në”, është shprehur kryetari i Komisionit, Reçica, në përmbyllje të takimit, duke u shprehur optimist se shndërrimi në FAK do të ndodhë në një kohë jo shumë të largët.

Anëtarët e Komisionit, po në takimin e sotëm, kanë shqyrtuar biografitë profesionale të tre kandidatëve për ambasadorë të Republikës së Kosovës në vende të huaja, si dhe janë pajtuar për kohen kur do të intervistohen në komision.

Të ngjashme