Dëmtuesi i minares hyri në xhami me mantel të hoxhës

Prishtinë | 16 Gus 2016 | 15:52 | Nga

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, dëmtuesi i minares së xhamisë në Veleknicë B. Vasiq tregoi se si hyri në këtë tempull fetar. Ai para Gjykatës Themelore në Gjilan tregoi se hyri në xhami i veshur me mantel të hoxhës.

“Është e vërtetë se kam pasur mantelin e hoxhës dhe e kam mbajtur një qiri në duar, e po ashtu jam ngjitur në minare dhe e kam hequr kupolën e minares,” tha Vasiq gjatë deklarimit të tij.

Vasiq nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit Sherif Mehmeti po hetohet për asgjësim ose dëmtim të pasurisë. Ky prokuror në seancën e sotme kërkoi paraburgim për të dyshuarin.

“Ekziston rreziku që i pandehuri po të gjendet në liri do t’i përsëriste veprat penale”, tha Mehmeti.

Ndërsa avokatja Blerina Jakupi kundërshtoi propozimet e prokurorisë së shtetit për të caktuar masën e paraburgimit.

“Në tërësi e kundërshtoj propozimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan për këtë masë, ngase mendoj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë të tillë. Nuk janë plotësuar kushtet ligjore për arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit dhe këtë e them sepse i mbrojturi im ka mundur të ikte nga vendi i ngjarjes para se të kapej nga organet zyrtare,” tha Jakupi.

Avokatja Blerina Jakupi propozoi që të mbrojturit të saj t’i caktohet ndonjë masë alternative, si ajo e lajmërimit në stacionin policor apo edhe ndalimi i ofrimit në vend apo objekt të caktuar.

Prokurori konstatoi se në momentin e dëmtimit të kupolës së minares së xhamisë në fshatin Velekincë më 14 gusht, Vasiq ishte i aftë psiqikisht.

“Duke pasur parasysh mendimin profesional të ekspertit mjeko-ligjor se i njëjti është në gjendje të mirë për ta përcjellë seancën gjyqësore, e njëkohësisht në bazë të tretmanit që ka pasur në emergjencë, u theksua se i pandehuri ka qenë i llogaritshëm edhe në kohën e kryerjes së veprës penale,” tha Mehmeti.

Edhe eksperti i psikiatrisë Ramadan Halimi tha se në bazë të shkresave të lëndës nuk është vërtetuar se i pandehuri në ndonjë periudhë jetësore ka pasur çrregullime mendore.

Akti i Vasiqit shkaktoi shumë reagime kundërshtuese, mes tjerash edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.

Gjyqtari i vetëm gjykues Behar Ymeri njoftoi palët se për masën e sigurisë së caktuar për Vasiqin do të njoftohen gjatë ditës./kallo.com/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme