Dënimi i Vukotiqit: Shkëputje nga pandëkueshmëria dhe inkurajimi për luftën ndaj stigmës që i përcjell të mbijetuarit

Prishtinë | 06 Kor 2021 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, tha se dënimi i ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Zoran Vukotiq, është shkëputje nga pandëshkueshmëria dhe inkurajimi për luftën ndaj stigmës që i përcjell të mbijetuarit/at.

“Ndonëse drejtësi e vonuar, dënimi i ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Zoran Vukotiq, për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për të mbijetuarit/at, por edhe për shoqërinë”, thuhet në reagimin e tyre.

“Ky dënim i parë nga një gjykatë vendore për një rast të tillë është moment shprese për të gjithë të mbijetuarit/at e tjerë/a të dhunës seksuale në luftë. Është një moment shkëputje nga pandëshkueshmëria, por edhe inkurajim për luftën ndaj stigmës që i përcjell të mbijetuarit/at”, thuhet tutje aty.

Ky institut thotë se përgjegjësia dhe drejtësia nuk parashkruhen asnjëherë. Prandaj sipas tyre është e rëndësishme që të vazhdohet ndjekja dhe dënimi i përgjegjësve.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.

Sipas një njoftimi së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Zoran Vukotiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.

Të ngjashme