Dënohet dëmtimi i varrezave ortodokse në Lipjan

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, e ka dënuar dëmtimin e varrezave ortodokse në komunën e Lipjanit.

Më 17 dhjetor, Policia e Kosovës ka raportuar se në Lipjan, disa varreza janë dëmtuar nga persona të panjohur, dhe se një hetim intenziv po zhvillohet lidhur me këtë incident.

Policia nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Dëmtimi i varrezave në komunën e Lipjanit meriton dënimin më të fuqishëm. Unë besoj se ky është një veprim për të cilin ne si shoqëri duhet të ndjehemi të turpëruar, pavarësisht prejardhjes sonë etnike dhe fetare”, tha Hoxhiq përmes një deklarate.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve lokale në Lipjan, që në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit, të krijojnë të gjitha mekanizmat e nevojshëm për gjetjen dhe ndëshkimin e autorëve.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “dëmtimi i gurëve të varrezave serbe në Lipjan edhe një herë na ballafaqon me faktin e trishtuar se procesi i pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, pati shumë pak rezultate”.

Në komunën e Lipjanit edhe në të kaluarën kanë ndodhur incidente të tilla. Më 14 korrik, Policia e Kosovës njoftoi se është duke kryer hetime pas njoftimeve se “janë dëmtuar disa gurë të varrezave ortodokse serbe” në komunën e Lipjanit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pati reaguar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, duke kërkuar reagimin e shpejt të drejtësisë.

“Si po i përgjigjet Kosova dëmtimit të turpshëm të varrezave në Lipjan? Ushtrimi i sigurt i lirisë së besimit, kërkon respekt ndërmjet komuniteteve dhe veprim të shpejtë të drejtësisë”, kishte shkruar Kosnett.

Të ngjashme