Deportimet e fundit mund ta penalizojnë Kosovën në proceset integruese

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 14:44 | Nga

Kosova mund të penalizohet në procesin e saj integrues në Bashkimin Evropian, pas deportimit të 6 shtetasve turq. Kështu thonë analistët, ndërsa theksojnë se kjo ngjarje, nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave, por do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën BE-ja Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike në vend Imer Mushkolaj, tha për Radio Kosovën se ngjarjet e fundit me deportimin e gjashtë shtetasve turq, do të ketë ndikim afatgjatë sa i përket sundimit të ligjit, për shkak se flitet për një situatë ku në mënyrë drastike, është shkelur Konventa e të Drejtave të Njeriut.

“Nëse ne si vend pretendojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, duhet të kemi parasysh që duhet të respektohet Konventa për të Drejtat e Njeriut”, tha Mushkolaj. Kjo ka të bëjë direkt edhe me mundësinë ose pamundësinë e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës. Kështu që unë besoj se do të ketë pasoja afatgjate, për shkak se është postulati themelor që ka të bëjë me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Mushkolaj.

Ndërkaq, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Mushkolaj tha se mund të përmendet që Kosova nuk ka arritur të menaxhojë si duhet një situatë të ndjeshme siç ishte deportimi i qytetarëve turq.

“Ne e dimë se kushti i fundit që ka mbetur për liberalizimin e vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, që nënkupton sundimin e ligjit. Kështu që, domosdoshmërish kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit. Por, nuk e di vërtetë nëse në mënyre eksplicite do të përmendet ose do të evidentohet si rast që mund të dëmtojë këtë proces”, tha Mushkolaj.

Ligjëruesja për integrimet evropiane në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku, tha se ngjarja me deportimin e shtetasve turq, nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e liberalizimit të vizave, por do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën Bashkimi Evropian.

“BE matë procesin dhe matë funksionimin e shtetit ligjor, pra sundimin e ligjit. Kjo ka qenë pjesë e sundimit të ligjit, mënyra se si e kanë zbatuar ekstradimin e disa shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë. Kjo do të jetë pjesë e vlerësimeve që i bën BE. Por për procesin e liberalizimit të vizave nuk e besoj se do të jetë diçka që ndikon në vendim”, thotë Lushaku.

Kjo është shumë e rëndësishme për proceset integruese, tha Lushaku, duke theksuar se Kosova mund të penalizohet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Funksionimi institucional është kriteri i parë i BE-së. Vlerësimet bëhen se institucionet e Kosovës a janë demokratike për mënyrën se si i marrin vendimet ato. Prandaj është kriteri i parë i BE-së, funksionimi institucional dhe demokratik i shtetit të Kosovës. Mundemi të penalizohemi sa i përket procesit të integrimit”, tha ajo.

Lushaku tha se çështje tjetër është edhe qasja ideologjike, nëse ne jemi vërtetë duke e përkrahur Erdoganin. Shumë shtete perëndimore janë distancuar nga kërkesa e Erdoganit për të dorëzuar gylenistët dhe për këtë do të duhej që Kosova të jap sqarim si shtet se çfarë qëndrimi ka kundrejt këtij grupi, tha Lushaku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme