Deputetët e VV-së e presin në zyrë kryetarin e BSPK-së pas protestës së javës së kaluar

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka takuar deputetët e GP të Lëvizjes Vetëvendosje në zyrën e këtyre të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Në një komunikatë të BSPK-së thuhet se deputetët e VV-së u zotuan që të lëvizet përpara për kërkesat e BSPK-së.

“Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, bashkë me anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së u takua me deputetet dhe deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në takimin i cili u mbajt në Zyrën e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, i shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së bisedoi me deputetet dhe deputetët për shqetësimet reale të të punësuarve dhe kërkesat e arsyeshme të BSPK-së ndërlidhur me gjendjen e të punësuarve në Republikën e Kosovës. Deputetet dhe deputet e Grupit Parlamentar të LVV-së u shprehën tejet të interesuar dhe u zotuan që proceset e dialogut social të qohen përpara si duhet dhe të lëvizet drejt realizimit të kërkesave të arsyeshme të BSPK-së” , thuhet në komunikatë.

Tutje, BSPK pret që nisma e sotme të kurorëzohet me rezultatet e duhura.

“BSPK pret që nisma e sotme të vazhdohet edhe më tej e sidomos të kurorëzohet me rezultatet e duhura të cilat do të hiqnin shqetësimet reale të të punësuarve duke u plotësuar kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e të cilat janë parashtruar në vazhdimësi e të cilat edhe u parashtruan në Protestën e 20 majit”, thuhet tutje.

Të ngjashme