Deputetët protestojnë kundër ngacmimeve seksuale, rastin në Drenas e quajnë akt makabër

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 12:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka vendosur që t’i bashkohet protestën për rastin e të miturës që mbahet në orën 12:00 para policisë, e cila dyshohet se u dhunua seksualisht nga mësimdhënësi i saj e më pas edhe nga polici tek të cili e raportoi rastin, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e këtij komisioni Duda Balje, ka thënë se si komision duhet të bëjnë diçka që rastet e tilla të ndërpriten.

“A kemi fuqi, a kemi mundësi me bë diçka. Tash është topi tek drejtësia. Duhet me bë diçka më serioze diçka edhe ne si përfaqësues të popullit, të bëjmë ndonjë fushatë”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gruda, këtë rast e quajti akt makabër.

“Me njerëz monstrum që punojnë në pozita të larta. Ne shkolla dërgojmë fëmijët për mësim dhe aty ndodh abuzimi, pastaj në polici thellohet abuzimi, keqtrajtohet edhe më tutje duke përfunduar tek mjekësia. Për mua është shumë shqetësuese. Ky akt makabër dhe të gjithë ata pjesëmarrës të marrin dënimin e merituar”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Shemsi Syla, ka kërkuar që të ketë veting në prokurori dhe polici. Ai ka thënë se duhet kërkuar që të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë t’i denoncojnë rastet.

“Ne së pari duhet të thërrasim në raportin ministrin e Arsimit, e Punëve të Brendshme dhe të shëndetësisë dhe të raportohet. Mandej të kontaktohet avokati i popullit që të merret në shqyrtim. Të kërkohet rifillimi i rastit të mësimdhënësit, çfarë ndodhi. Të kërkohet trajtimi i lejes së punës për gjinekologun. Të kërkohet veting në prokurori dhe në polici. Të kërkohet dhe të bëhet thirrje ndaj të gjithë atyre që kanë përjetuar dhunë dhe të denoncojnë”, tha ai, raporton EO.

Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili, ka treguar edhe një rast tjetër të keqpërdorimit të vajzave. Ai tha se ka rrjet të njerëzve që keqtrajtojnë vajza të reja.

“Unë jam shumë i bindur se kësi raste janë duke ndodhur edhe tani. Profesori në shkollë e ka keqtrajtuar, ka shkuar në Polici. Me ju jep guxim vajzave të reja me dal edhe me ju hi fshesë të madhe keqbërësve se janë shumë. Duhet të sigurohemi që sistemi gjyqësor i mbyll për një kohë të gjatë këta njerëz. Një vajzë ka ardhur në zyre dhe për jetën e këtyre njerëzve që më ka treguar më ka tmerruar. E kam lidhur me rrjetin e grave, me EULEX-in. Po ajo thojke po më përcjellin, në momentin kur ne e kemi dërguar rastin në EULEX në 4 të mëngjesit më kanë hy në shtëpi, i kam vërejt që 4 vetura janë duke më përcjellur. Kemi të bëjmë me një rrjet të njerëzve që keqtrajtojnë vajza të reja. Kjo mundet me qenë veç një hallkë e vogël e një rrjeti të madh”, tha ai.

E, deputetja Teuta Haxhiu ka thënë se pas këtij rasti vihet në dilemë se cilat janë institucionet që duhet besuar dhe raportuar rastet e tilla.

“Kush janë institucionet e besueshme që dikush mund t’i drejtohet kur ka shantazhe, kush është institucioni i besueshëm për tu drejtuar për shantazhet, sepse shantazhet e kanë sjell deri këtu. Mësuesi ku ka shkuar ajo të marr dije, pas mësuesit ka shkuar tek siguria. Çka duhet të bëhet më shumë. Në fund të fundit tek mjeku i cili ka kryer një krim. Cili do të jetë vendi i besueshëm që vajzat apo kushdo që ka dhunë ku mund të drejtohet, unë nuk kam një përgjigje. Gjykatat të veprojnë me shpejtësi”, tha ajo.

Por, dikush tjetër kërkoi që ndaj personave që kanë abuzuar seksualisht me të miturën të ju shqiptohet dënim maksimal.

“Dënim i ashpër në mënyrë që mos me i dhënë kohë që ata me dal edhe një herë të fortë dhe me ushtrua dhunë të njëjtë. Ka edhe shumë raste të tjera”, ka thënë deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi.

Në këtë mbledhje poashtu është marrë vendim që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial do të ftohen për raportim në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, për të raportuar për rastin e të miturës që u keqpërdor nga mësimdhënësi dhe polici në Drenas.

Të ngjashme