Deputeti i AAK-së kërkon që urgjentisht të bëhet unifikimi i çmimit të barnave

Prishtinë | 16 Tet 2020 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka ngritur shqetësimin për të dhënat e proklamuara nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, të cilat dëshmojnë se qytetarët paguajnë për barna miliona euro më shumë se vendet e rajonit.

Tolaj tha se kjo ndodh për shkak të mungesës së unifikimit të çmimit të barnave.

“Qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, thonë nga Oda e Farmacistëve. Vërtet shqetësuese të dhënat e proklamuara nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, të cilat dëshmojnë se qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit për të njëjtat barna më të shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, kurse shteti i Kosovës 6 milionë përmes çmimeve abuzive. Kjo për shkak se në vend nuk ka unifikim të çmimit të barnave”, tha Tolaj.

Ai tha se është imediate që të unifikohet çmimi i barnave, sidomos në rrethana ku qytetarët po përballen me gjendje të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë.

“Laramania e çmimeve të barnave nëpër barnatoret e Kosovës, sipas farmacistëve, ka ndikuar që qytetarët të mos kërkojnë cilësi në shërbim të blerjes së barnave, por çmime më të lira. Rrjedhimisht barnat kontrabandohendhe më pas shiten me çmime më të lira. “Pyetja e parë e çdo pacienti është se sa kushton ilaçi që e kërkon. Pse ndodh kjo? 1,200 farmacistë të licencuar dhe 650 barnatore. Andaj në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballën me gjendje të rëndë ekonomike si pasojë e Pandemisë COVID-19, e cila ka thelluar krizën financiare në familjet tona është nevojë imediate që të bëhet unifikimi i çmimeve të barnave”, shtoi Tolaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme