Deputeti i VV’së paralajmëron shkarkime në KEK

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Pas shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv dhe zyrtarit kryesor financiar të Postës së Kosovës, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka paralajmëruar shkarkime edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bajqinovci ka thënë se është radha e KEK’ut që t’i nënshtrohet rivendosjes së rendit dhe ligjit.

“Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe zyrtari kryesor financiar. Tani, po besoj që është radha e KEK’ut t’i nenshtrohet rivendosjes se rendit dhe ligjit. Abuzimit me pasurinë publike ja gjejmë ilaqin”, ka shkruar Bajqinovci.

Ndryshe, Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës sot ka shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv Shefqet Avdijan dhe zyrtarin kryesor financiar, Behxhet Maliqi, raporton Express.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Avdija përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Njoftoj opinionin publik dhe të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës se sot Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike duke marrë vendim të paligjshëm dhe të pabazuar në asnjë fakt për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar, Behxhet Maliqi”, thuhet në komunikatë.

Ai ka paralajmëruar edhe padi për shkarkimin e tij.

“I paralajmëroj të gjithë të dërguarit politikë në këtë Bord dhe shefat e tyre të shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave, se ne do t’i padisim në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

Të ngjashme