Deputeti me aftësi të kufizuara: Shteti ka dështuar të na ofrojë kushtet themelore për jetesë

Prishtinë | 03 Dhj 2020 | 11:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, ka kërkuar debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës për problemet e shumta që kanë personat me aftësi të kufizuara me rastin e shënimit të Ditës së Personave me Aftësi të Kufizuara.

Rudi, që edhe vetë është me aftësi të kufizuara, në fjalën e tij në Kuvend falënderoi stafin që në mungesë të përshtatshmërisë së objektit e kanë bartur çdo ditë deri në sallë për të mbajtur seanca, njofton Klan Kosova.

Ai ka thënë se tanimë është i lumtur që është funksionalizuar ashensori në Kuvend e që do t’iu shërbejë personave me aftësi të kufizuara që synojnë të kenë poste të larta.

Megjithatë, Rudi ka thënë se po iu shkelen të drejtat e njeriut me mungesa të shumta të qasjes në shërbime çdo ditë.

“Kuvendi duhet t’i rishikojë ligjet për t’i hequr burokracitë ligjore. Të gjithë ne si deputetë, qeveritarë dhe zyrtarë duhet të veprojmë me kohë që të rregullohet qasja për këta persona. Vendosja e këtij lifti e lehtëson qasjen, por duhet të rregullohet edhe hapësira në Kuvend që të bëhet i qasshëm, sepse ndryshe është shkelje e ligjit nëse nuk mundësohet dhe po ashtu diskriminim”.

“Për këtë rast e kam kërkuar këtë debat parlamentar që Kuvendi të diskutojë për gjendjen e të drejtave dhe personave me aftësi të kufizuara se ku qëndrojnë dhe në fund të debatit të miratojmë një rezolutë drejt pjesëmarrjes së barabartë edhe të kësaj kategorie”.

“Rendi kushtetues bazohet në parimet e lirisë, barazisë dhe respektimit të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit të drejtësisë sociale”.

Rudi në Kuvend ka thënë se për shkak të mungesës së kushteve për të lëvizur po iu mohohet kjo e drejtë thelbësore.

“Liria e lëvizjes si një e drejtë e garantuar është e kufizuar për personat në Kosovë, për shkak të mungesës së qasjes në administratë publike dhe shtetërore, shkolla, trotuare dhe në shumë hapësira tjera. Shumica e shkollave dhe institucioneve nuk kanë pjerrina apo lift, sidomos kur janë në kate. Po ashtu, ka mungesa të mëdha në sinjalistikë për personat e verbër. Trotuaret e pamundësojnë lëvizen e lirë. Shqetësuese vazhdon të mbetet dështimi i shtetit në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”.

Edhe më shqetësuese Rudi po e sheh mungesën e kushteve të tyre themelore për t’u shkolluar në universitete dhe shkolla shtetërore.

“E drejta e shkollimit po kufizohet nga mungesa e qasjes në objektet e shkollës, si dhe asistentët. Në mungesë të tyre, familjet e fëmijëve detyrohen që vetë ta ofrojnë asistimin ose edhe të paguajnë atë”.

“Gjithashtu, për pasojë të qasjes në objektet e fakulteteve publike, shumica e personave studiojnë në universitetet private duke paguar kosto të larta dhe nuk marrin bursa nga shteti. Mungesa e kushteve dhe mosmbështetja financiare e atyre që studiojnë në universeve private është e padrejtë e dyfishtë”.

Të ngjashme