Deputetja e VV-së propozon interpelancë për pushimet luksoze të Haradinajt

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 14:21 | Nga

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Shqipe Pantina është shprehur e pakënaqësi në lidhje me veprimet e Haradinajt si kryeministër. Pantina lidhur me pushimet luksoze të kryeministrit për të cilat raportoi dje Insajderi, ka thënë se do të duhej që Haradinaj të dal në interpelancë.

“Rritja e pagave për vete dhe për zyrtarët tjerë politik është vetëm njëri nga shembujt. Kjo që po raportohet nga mediet për pushimet e tij ka shumë paqartësi. Nuk e di nëse ai ka shkuar me paratë e veta, gjë që është e drejtë e tij të shpenzoj siç mendon ai, apo t’i kalojë pushimet aty ku ia mban gjepi. Por nëse në këto udhëtime ka implikime të buxhetit, natyrisht se kryeministri duhet të jap përgjegjësi”, ka thënë Pantina për Periskopin.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se ende nuk janë takuar si grup parlamentar i Vetëvendosjes për të vendosur se çfarë hapash do të ndërmerren.

Sipas saj, duhet të mbahet interpelancë me kryeministrin, për të kërkuar përgjegjësi për të gjitha këto veprime.

“Ne si grup parlamentar ende nuk jemi takuar për të diskutuar se si do procedojmë në sesionin pranveror, mirëpo unë personalisht mendoj se duhet të mbahet një interpelancë me kryeministrin për të gjitha këto veprime, disa prej të cilave janë edhe të kundërligjshme, siç janë për shembull, vendimi që ai të fal 58 milionë euro ambalazhuesve të ujit, dhe vendimi për rritjen e pagave për zyrtarët politik. Të gjithë këto vendime duhet të behën me ligj, dhe jo me vendime qeveritare siç i ka bërë ai”.

“Besoj që në fillimin e sesionit do të koordinohemi brenda Lëvizjes, dhe më pas edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të parë se si mund ta ndalim kryeministrin që të mos bëj veprime të tilla, por natyrisht që t’i shpalli edhe si të pa zbatueshme disa veprime qe ai ka ndërmarr. Do të kërkojmë përgjegjësi në Kuvend, sepse Qeveria i përgjigjet Kuvendit. Deri më tani as kjo qeveri nuk ka treguar përgjegjësi sa i përket dhënies llogari Kuvendit, dhe kjo është një praktikë e keqe që po ndiqet nga kjo Qeveri, praktikë që ka qenë edhe në qeveritë e kaluara” , ka thënë tutje Pantina.

Të ngjashme