Dërgimi i “Grandit” në Arbitrazh synon kthimin e 5 milionë eurove të investuara

Prishtinë | 26 Kor 2017 | 20:04 | Nga

Pas më shumë se 11 vjet luftë nëpër gjykatat vendore, kompania me qendër në Zvicër, Mabco Construction, ka vendosur që ta zgjidhë çështjen me Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit në Amerikë.
Avokati Gazmend Nushi, që e ka përfaqësuar këtë kompani në gjykatat kosovare, ka shpjeguar arsyet që e bindën kompaninë të hiqte dorë nga përpjekjet nëpër gjykatat vendore, raporton KTV.

Nushi ka thënë se kompania i ka dy kërkesa në Gjykatën e Arbitrazhit, por të cilat mund edhe të ndryshohen.

Ai thotë se të gjitha kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Kosovë dhe që janë në procese gjyqësore, janë duke i dërguar lëndët në gjykatat e arbitrazhit.

Dhe, për këtë një faj të madh ia vë institucioneve që nuk e rritën numrin e gjykatësve të lëndëve ekonomike, e që për shkak të numrit të madh të tyre po vonohen të shqyrtohen.

Kohavision ka kërkuar një përgjigje edhe nga Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Heset Mazrekaj, por i njëjti, përkundër gatishmërisë, nuk ka mundur të flasë, pasi nuk ka marrë një konfirmim nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Në shtatorin e 2015-ës, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte pranuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës një aktvendim, ku parashtrues i kërkesës ka qenë NTP Union Comerce dhe një tjetër, ku parashtrues ishin Mabco Construction/EuroKoha Reisen.

Kompanitë e lartpërmendura kishin kërkuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në lidhje me Hotelin Grand.
Parashtruesit e kërkesës kishin kontestuar Aktgjykimin e datës 26 qershor të 2014-ës të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me çka ishte vlerësuar i drejtë vendimi për tërheqje të aksioneve në ndërmarrjen Hoteli Grand.

Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e parashtruesit NTP Union Comerce dhe pretendimet e tij se ka pasur shkelje me vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme, ndërsa ka vlerësuar si të papranueshme po ashtu edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions dhe Eurokoha-Reisen, të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

Rasti i privatizimit të këtij hoteli paraqet procesin më të rëndë dhe dyshues nga të gjitha proceset tjera të privatizimit, i cili madje përfundoi edhe me vdekjen e dyshimtë të ish-kryetarit të bordit të kësaj agjencie, Dino Asanaj, i mbyllur si vetëvrasje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme