Deri me 5 mars, Haradinaj duhet të miratojë strukturën e FSK-së

Prishtinë | 03 Shk 2019 | 08:12 | Nga Lirik Sylmeta Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Euro-Atlantik në fundin e janarit ka diskutuar për vendimin e shtetit të Kosovës për fillimin e fazës së tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Ky këshill i ka dhënë 120 ditë afat kohorë Kosovën, për të filluar ndryshimet në mënyrë që pas këtyre muajve të ipen edhe komentet e shteteve anëtare të NATO-s për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, shkruan Ekonomia Online.

Ndërsa, deri me 5 mars, kryeministri i vendit pritet të miratojë strukturën e FSK-së.

Këto detaje i ka bërë të ditura, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online.

“120 ditëshin e parë pritet që të ngritët Ministria e Mbrojtjes ose të kalojmë nga Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, me një strukturë të re, prapë Ministria do jetë një Ministri e integruar, por tani ndoshta me përqindje do jetë 75 për qind personal ose staf civil dhe 25 për qind staf ushtarak. Jam i sigurt që brenda 120 ditëve kjo do arrihet. Pritet që deri më 5 mars kryeministri ta miratojë strukturën e FSK-së dhe pastaj krahas strukturës janë edhe rregulloret që përcaktojnë funksionimin dhe organizimin e strukturës, koordinimin mes departamenteve, janë të parapara diku 10 rregullore brenda këtij viti që të miratohen e që do jenë në shërbim të ndërtimit të FSK-së”, tha Berisha.

Ministri i Mbrojtjes parasheh një vit sfidues, ku do të realizohet plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së, të ngritën njësitë dhe të fillojnë transformimet e nevojshme.

”Brenda 120 ditëve Ministrinë e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes po ashtu edhe të ngritët edhe shtabi i përgjithshëm, komandat, po ashtu edhe koncepti i trajnimit në komandën e doktrinës dhe trajnimit do ndryshon, do fillojnë trajnimet me karakter ushtarak, po ashtu ka edhe shumë projekte të tjera që ne i parashohim që në këtë vit të fillojmë ti ndërtojmë coftë në aspektin e infrastrukturës por edhe në aspekte të tjera”, pohon Berisha.

Berisha: FSK nuk ka kapacitete operacionale të del në veri

Forca e Sigurisë së Kosovës, ani pse ka marrë një mandate dhe mision të ri, ajo vazhdon të mos veprojë në veri të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, thotë se faktori ndërkombëtarë po thirret në një marrëveshje të 2013-ës, e cila sipas tij, ka qenë nën mandatin e kaluar të FSK-së.

Berisha e pohon se FSK-ja nuk posedon kapacitete operacionale të dilet në veri, por sipas tij, kjo do të koordinohet në nivel ministrorë dhe me komandantin e KFOR-it.

Sipas Berishës, nuk do t’i vendoset FSK-së një kufizim i tillë, që më vonë të ketë probleme për të vepruar kurdo që paraqitet nevoja.

“Ne mendojmë që do ti koordinojmë në nivel ministror, me procedura standarde operative bashkë me komandantit e KFOR-it dhe njësitë shumëkombëshe që veprojnë atje, sigurisht që do ti ndërtojmë këto procedura që nuk do ketë kufizime, dhe nuk do jetë si më parë që të mos dalë në veri, por ky është obligim kushtetuese që duhet ta zbatojmë. Ne jemi në fillim të ndërtimit të kapaciteteve, sepse jemi në fillim të procesit të tranzicionit dhe nuk mundemi të themi se ne tani i posedojmë kapacitetet operacionale të dalim në veri, por së paku nuk do ti’a vendosim vetës një kufizim të këtillë që do ketë probleme në të ardhmen për të vepruar kurdo që paraqitet nevoja ose sipas mandatit kushtetues që e kemi”, shprehet Berisha për Ekonomia Online.

71 pjesëtarë serb largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës

71 pjesëtarë të komunitet serb kanë marrë vendim të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës, nga presionet që kanë marrë nga Serbia.

Këtë e bën të ditur, ministri Rrustem Berisha, i cili shton se aktualisht nuk ka dalje të rejat, ndërsa për mungesat e tyre, thotë se do të zëvendësohen.

“Nuk ka dalje të reja, tani mendoj që edhe presioni është në rënie e sipër, por ne e vlerësojmë që edhe në të ardhmen çdo ditë e më shumë ky presion do bie, deri më tani në bazë të informatave që ne posedojmë janë diku 71 serb që vec e kanë marrë vendimin për largim, edhe ato vende të punës tani me këtë kampanjën rekrutuese do të plotësohen vendet e tyre me komunitetet jo shumicë, atë serb”, tha Berisha.

Sipas Berishës, janë 300 të interesuar që të plotësojnë këto zbrasëtira të ish pjesëtarëve serb në FSK.

Ai shton se pritet që me anë të rekrutimit Ushtrisë t’i shtohen edhe 650 pjesëtarë të rinj.

“Interesimi ka qenë edhe në vitin e kaluar, ne i kemi rreth 300 të interesuar që interesohen për të i plotësuar këto 70 vende por nuk do thotë që ky numër nuk do të rritet gjatë fushatës rekrutuese, sa më shumë të interesuar, mundësia jonë është që ti përzgjedhim ata që i plotësojmë standardet edhe kushtet që janë të parapara me rregullore dhe ligje në fuqi brenda forcës. 650 pjesëtarëve të rijë të uniformuar, ku në mesin e tyre do jetë edhe plotësimi i vendeve të punës sa i përket minoritetit serb, siç e dini edhe më herët ka qenë përmes medieve si numër dhe i keni ngarkuar për shkak që nuk kanë mundur të përballojnë presionin nga jashtë”, bëri të ditur Berisha për Ekonomia Online.

FSK me komisioner për Mbrojtje dhe Siguri

Brenda një afati 10 vjeçar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, do të duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës shumë projektligje.

Për këtë, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se pos projektligjeve, FSK-së i nevojiten edhe akte nënligjore, dokumente strategjike.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ditë më pare bëri të ditur se para deputetëve do të jetë projektligji për komisioner të Mbrojtës dhe Sigurisë.

Berisha thotë se janë duke i shikuar praktikat dhe modelet e shteteve të NATO-s që të rregullohet kjo çështje.

“Ne jemi duke diskutuar këtë çështje dhe po i marrim praktikat dhe modelet e shteteve të NATO-s që i e kanë të rregulluar këtë çështje, dhe mendoj që ne do ta kemi përfaqësuesin tonë ose komisionerin tonë, por tani nuk është e definuar a do jetë në nivel të institucioneve të sigurisë apo do jetë vetëm përfaqësues për Ushtrinë ose për FSK-në, megjithatë është një nismë e mirë dhe mendoj që është në interes që ne të kemi komisionerin tonë, jo vetëm për FSK-në por edhe për Policinë por edhe institucionet tjera të sigurisë”, tha Berisha.

Berisha bëri të ditur se pas transformimit të FSK-së nuk është vërejtur ndryshim i raporteve me partnerët strategjikë të Ushtrisë. Ai nuk pret që të ketë zbehje të tyre, por vetëm ngritje të bashkëpunimit.

Kosova nga 14 dhjetori i vitit 2018 e ka Ushtrinë e saj. Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe Projektligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa me 21 janar të këtij viti, zyrtarisht ka nisur procesi i tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Të ngjashme