Dëshmitari thotë se i ndjeri ishte i kërcënuar nga babai i tij më 2009

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Shkodran Shkodriqi ka thënë se tani i ndjeri Abit Jashari ka qenë i kërcënuar nga babi i tij, tani i akuzuari Baki Shkodriqi që nga viti 2009.

“Abiti ka thënë në stacion policor se nga vitit 2009 e ka kërcënuar me armë Baki Shkodriqi, ashtu ka thënë Abiti e unë nuk kam parë asgjë për këtë se a është kërcënuar dhe kjo ka qenë vetëm një thënie e Abitit”, ka thënë dëshmitari Shkodran Shkodriqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim i tillë, dëshmitari Shkodran Shkodriqi e ka dhënë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Besnik Shkodra dhe Baki Shkodriqi po akuzohen për vrasje dhe shtytje në vrasje.

Duke përgjigjur në pyetjet e prokurores Fitore Sadikaj, ai ka thënë se një ditë para se të ndodhte rasti i akuzuari Besnik Shkodra ishte acaruar, pasi që i njëjti tani të ndjerit Abit Jashari i’a kishte dhënë disa dru për tu ngrohur.

“E kam parë gjendjen e Abitit, i cili nuk e ka pas gjendjen shumë të mirë me dru dimërore se ishte shumë ftoftë dhe nuk kishte sasi të mjaftueshme dru për tu ngrohur, dhe në ato momente ja kam marrë veturën Abitit dhe me veturën e tij i kam shkuar dhe i kam marrë drut nw shtëpinë ku kam banuar më herët dhe i’a kamë dhënë Abitit. Në ato momente kur më ka pa Besnik Shkodra që jam duke i bartur drut me kerrin e Abitit, aty ja nisi mu acaruar situata duke më thënë “pse po ja jep drutë””, ka deklaruar dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Tutje, ai ka thënë se i akuzuari Besnik Shkodra më vonë në telefon, në “Viber”, i kishte shkruar dhe e kishte sharë e kërcënuar tani të ndjerin Abit Jasharin.

“Mbasi që unë i kamë bartur drut, Besniku ka filluar ta shpreh nervozen ndaj meje duke më shkruar, e duke e sharë Abitin me fjalë banale, dhe ka bërë kërcënime për Abitin në telefon në “viber”, por nuk më kujtohet saktë çka kemi shkruar, por që janë dikund, e që munden mu vërtetu”, ka deklaruar dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Ai ka thënë se pasi i ndjeri Abit Jashari e kishte parë se çfarë kishte shkruar i akuzuari Besnik Shkodra, kishte biseduar me një zyrtarë policor dhe i kishte treguar se si është duke u kërcënuar.

Tutje, ai ka thënë se kishte shkuar në shtëpi dhe pasi që kishte shkuar në shtëpi e kishte thirr djali i dajës së tij Burhan Kryeziu dhe e kishte njoftuar se Abit Jashari e kishte rrahur tani të akuzuarit Besnik Shkodra.

“Pasi kam shkuar në banesë, dhe nuk ka zgjatur as 10 minuta, atëherë më ka thirr djali i dajës Burhan Kryeziu edhe më ka thënë dil shpejt se Abiti e rrehu Besnikun, në ato momente unë kamë dal shpejt e shpejt dhe kam shkuar poshtë përballë punës së Abitit”, ka thënë dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Duke u përgjigjur në pyetje ai ka thënë se, bashkë me Abit Jasharin kishin shkuar në stacionin e policisë në Prishtinë, dhe në stacionin e policisë në Vranjevcë, për ta lajmëruar rastin që Abit Jashari e ka rrahur të akuzuarin Besnik Shkodra, por që sipas tij në asnjërin stacion policor nuk kishin dhënë deklarata pasi s’kishin pasur prova për ta vërtetuar rastin.

Ai ka thënën se tani i ndjeri Abit Jashari në polici kishte treguar se ishte kërcënuar nga të akuzuarit Besnik Shkodra e Baki Shkodriqi.

“Fillimisht kemi shkuar në stacionin policor te “New Born”, e pastaj kemi shkuar në stacionin policor në Vranjevc, në fillim polici ka biseduar me Abitin dhe ai i ka treguar qysh ka ndodhur ngjarja, dhe vazhdimisht i ka thënë se mundeni me më dërg në burg, dhe i ka thënë se është i kërcënuar prej Besnikut dhe Baki Shkodriqit,  dhe vazhdimisht polici ka kërkuar fakte, por Abiti e përsëritke njoftimin se unë ndihem i kërcënuar me vite”, ka thënë dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Pastaj ai ka thënë se kishte shkuar në shtëpi dhe të nesërmen e kishte telefonuar halla e tij, dhe e kishte njoftuar se tani i akuzuari Besnik Shkodra e ka plagosur Abit Jasharin.

“Unë e kamë lënë me Abitin mu zgju herët në mënyrë që ta shoqëroj në stacion të policisë. Dhe më ka thirr halla në telefon, rreth orës 11:00 të mëngjesit dhe më ka thënë, hajde Shkodran te unë se po më doket Besniku e ka plagos Abitin, dhe jam shkuar te halla dhe i kam thënë a mundesh me dit ku është Abiti, dhe halla më tha se është shkuar të vëllai i vet në Vranjevc dhe në ato momente jam nis për në Vranjevc”, ka thënë dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Sipas tij, pasi kishte shkuar në Vranjevc, te rruga “Haxhi Zeka” i kishte par shiritat e vendosur, ishte ndalur, kishte kërkuar që ta di nëse viktima është gjallë.

“Edhe kur jam nis me shku për Vranjevc, dhe kur  kam arrit te rruga “Haxhi Zeka” i kam par shiritat që janë vendos dhe i kam thënë policit  lem vetëm ta di a është gjallë a çka u ba me viktimën, dhe polici më ka thënë largohu ose të arrestoj, unë i kam thënë se e di me këndë ka pas problem viktima, por ai më tha përsëri largohu ose të arrestoj”, tha ai.

Pastaj ai tha se kishte shkuar në spital për ta parë tani të ndjerin Abit Jashari, por që sipas tij pasi që e kishte kuptuar ku gjendet tani i ndjeri Abit Jasharri, e kishin arrestuar policia.

Duke u përgjigjur nw pyetje, ai ka thënë se tani i ndjeri Abit Jashari ka qenë i kërcënuar me armë nga babi i tij, tani i akuzuar Baki Shkodriqi që nga vitit 2009.

“Abiti me Besnikun kanë pasur probleme më herët. Dhe Abiti ka thënë në stacion policor se nga viti 2009 e ka kërcënuar me armë Baki Shkodriqi, ashtu ka thënë Abiti e unë nuk kam parë asgjë për këtë se a është kërcënuar, dhe kjo ka qenë vetëm një thënie e Abiti”, ka thënë dëshmitari Shkodran Shkodriqi.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Edis Sherifi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Sadikaj ka thënë se me 27 shkurt 2019, po në ditën kur ka ndodhur rasti, tani të akuzuarit Besnik Shkodra ia kishte dhënë një veturë me qira.

Ai ka thënë se me 27 shkurt 2019 në mesnatë e kishte telefonuar tani i akuzuari Besnik Shkodra dhe e kishte lutur që t’ia jap një veturë me qira.

Tutje ai ka thënë se i’a kishte dërguar veturën të tipit “Reno”, në vendin edhe ku ka ndodhur vrasja, dhe kur e kishte takuar nuk kishte vërejtur asgjë tek i njëjti.

Tute, ai ka thënë se pasi 20 minutave i akuzuari Besnik Shkodriqi e kishte telefonuar dhe kishte kërkuar një veturë tjetër sepse sipas tij vetura e mëparshme kishte pasur probleme.

Pas kësaj, ai tha se ia kishte dërguar veturën tjetër të tipit “Citroen C4”, dhe i kishin ndërruar vetura, dhe ka shtuar se pasi kishte ardhur në shtëpi e kishte kuptuar që çelësat e garazhës së tij i kishte harruar në veturën e tij, dhe pastaj e kishte telefonuar përsëri të akuzuarin dhe kishte kërkuar t’ia binte afër shtëpisë së tij, dhe sipas tij ky kishte qenë kontakti i fundit me të njëjtin.

Ai ka thënë se të nesërmen në mëngjes e kishte telefonuar vëllai i Besnik Shkodres dhe i kishte thënë se Besnik Shkodra e ka vrarë burrin e hallës.

Pas kësaj, ai tha se kishte shkuar në polici për të dhënë deklaratë pasi sipas tij i kishte ditur procedurat se edhe vet kishte punuar si zyrtar policor në Policinë e Kosovës, si dhe e ka shtuar se mbas disa kohe pas ngjarjes e kishte marr veturën e tij.

Tutje, ai ka thënë se 2-3 herë i kishte dhënë vetura me qira tani të akuzuarit Besnik Shkodra, dhe se sipas tij këtë punë e ka biznes.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e së enjtes është ndërprerë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 23 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, ditë kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

Për këtë, ai akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme