Dëshmitari thotë se supozoi që gjykatësi mendonte se zarfi me para ishte ftesë dasme, ngase nuk kishin biseduar më herët për ato

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari F.Z të mërkurën ka thënë se kur kishte deklaruar që Sali Berisha e kishte marrë zarfin me të holla pasi kishte menduar se kishte qenë ftesë dasme, ai këtë deklarim thotë se e kishte bërë duke supozuar meqenëse nuk kishin biseduar për të holla me të.

Në seancën e 23 shtatorit, dëshmitari kishte dhënë deklaratën ku tha se ia kishte dhënë një zarf me 2 mijë euro gjyqtarit Sali Berisha, por që sipas tij i njëjti mendonte se është ftesë dasme, andaj këtë deklarim e sqaroi sërish në gjykatore të mërkurën, ku shtoi se në kohën kritike ai nuk kishte pasur asnjë dasmë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo unë s’kam pas. Ne jemi familje e gjerë edhe për shkak se s’kemi biseduar për mjete dhe e kam bindjen se ai e ka pranuar këtë si në mënyrë njerëzore dhe shoqërore. Unë te ai supozim erdha ngase ne nuk kemi pasur llaf të mjeteve, parave asnjëherë”, tha ai.

Këto deklarime, dëshmitari F.Z, i ka dhënë gjatë vazhdimit të dhënies së dëshmisë së tij në gjykimin ku gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Sali Berisha po akuzohet se kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. I njëjti akuzohet edhe për mbajtjen e një revole pa leje, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Gjatë rimarrjes në pyetje, nga prokurorja speciale Iliriana Çollaku- Tafa, dëshmitari ka sqaruar se si ai gjatë vitit 2019 kishte bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, pasi që kishte shkuar të lajmëronte një rast ku ai ishte i dënuar dhe po jepte para për t’u liruar.

“Kam shkuar te ky Shaipi që s’ia di mbiemrin, as ai nuk më ka besuar dhe në prezencën e tij e kam thirrë dikë në telefon me telefon të tij zyrtar, një gjyqtar që është i njohur për prokurorinë dhe ai më ka thënë unë nuk mundem me të ndihmu kurrgjë”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se i njëjti i kishte thënë të shkojë në policinë e krimeve ekonomike, ngase ata merren me këtë çështje dhe do t’i ndihmojnë për e tij.

“Dhe unë ashtu kam vepruar dhe Shaipi ma ka bërë terminin që pas dy dite për këtë që e kam lajmëruar në AKK të shkoj të deklaroj tek oficieri Zejnullah Serdulli”, tha dëshmitari.

Lidhur me deklarimet e tij në polici, dëshmitari ka thënë se të njëjtat kishin qenë pjesërisht të tij, pasi që sipas tij, me zyrtarët policor ishin pajtuar që ai të nënshkruante me qëllimin që të njëjtit t’i ndihmonin në rastin e tij.

“Unë i kam treguar dhe policia ka shënuar, por jo në ato rrethana. Në pas atyre rrethanave që kemi biseduar si grup, ata e kanë shkruar si deklaratë dhe më kanë thënë a e nënshkruan këtë deklaratë dhe unë i kam thënë po”, deklaroi dëshmitari.

Ai shtoi se për herë të parë e ka dëgjuar si storie, por thotë se ka rrëfyer diçka krejt tjetër, por jo në ato detaje.

Sipas dëshmitarit F.Z, pjesë e rrëfimit të tij në polici kishte qenë edhe gjykatësi Berisha, por që ka mohuar se ka qenë edhe çështja e vëllait të tij, që e kishte me gjykatësin Berisha vite më parë.

Prokurorja Çollaku-Tafa ka pyetur dëshmitarin se si ka vepruar policia në rastet e tjera ku ai është dëshmitar në të njëjtën kohë kur është iniciuar rasti i të akuzuarit Berisha, e që dëshmitari ka thënë se edhe në dy raste të tjera policia sipas tij ka shkuar me “shabllon”.

“Realitetin me tregu, që edhe në dy raste që jam kanë dëshmitar, edhe aty janë shkuar pak me shabllon, sipas atyre që kanë menduar që është më mirë dhe kjo është mendim i jemi, por edhe incizimet janë, se na krejt për diçka tjetër e kemi nis”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktari, dëshmitari ka thënë se pasi që kishte bashkëpunim me policinë, për të ardhur deri tek një kontakt me të akuzuarin Berisha, kishte kërkuar të takohej me të për t’iu falënderuar për kthimin e dokumenteve të vëllait të tij, të cilat i ishin konfiskuar.

Ai ka mohuar ta ketë njoftuar Berishën përmes telefonit për dhënien e parave, ndërsa gjatë takimit të tij me të në ditën kritike në restorant “Toni” ai tha se nuk ishte i sigurt nëse i kishte përmendur paratë, por vetëm “një dhuratë”.

I pyetur nëse për këtë takim ai e kishte ftuar edhe “dajën”, dëshmitari ka pohuar se “daja” ishte gjykatësi Sejdi Blakaj dhe se nuk i kujtohej nëse e kishte ftuar të njëjtin apo jo.

“E kam njoftë si gjyqtar dhe “dajë” se unë i kam dajtë në Vrellë dhe ai është i fshatit Vrellë. Jo, ky nuk është i afërm me dajtë e mi, por vetëm është nga fshati Vrellë”, tha ai.

Lidhur me Blakajn, dëshmitari tha se afro një vit para takimit me Berishën, ai kishte kontaktuar me të përmes telefonit pasi që i njëjti ishte i sëmurë, por ai mohoi ta ketë vizituar të njëjtin në spital.

Tutje, dëshmitari ka pohuar se gjatë takimit me Berishën, ai kishte pasur të vendosura kamera nga policia.

Ndërsa, për bisedën e tij me Berishën lidhur me gjendjen shëndetësore të Blakajt, ai tha se sigurisht që kishin biseduar por se nuk i kujtohej mirë dhe se për këtë ishin edhe incizimet.

Andaj lidhur me këtë, trupi gjykues ka marrë vendim që dëshmitarin ta ballafaqojë me video-incizimet e bëra në rastin kritik, me qëllim të freskimit të kujtesës lidhur me bisedën e zhvilluar mes tij dhe të akuzuarit Berisha më 19 shtator 2019.

Ndryshe shqyrtimi fillestar dhe ai i dytë ishin mbajtur nga gjykatësi Arben Hoti, i cili kishte vendosur për kundërshtimet  e mbrojtjes, mirëpo pas kthimit të rastit në rivendosje nga Gjykata e  Apelit dhe pas caktimit të gjykatësit Hoti si u.d i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lëndën e ka trashëguar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili më pas kishte vendosur sërish sipas udhëzimeve të Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme