Selim Bislimi braktisi privilegjet rinore për liri, thuhet në akademinë përkujtimore

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 17:52 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asnjë formacion i vendit nuk ka arritur atë që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ky rezultat erdhi me sakrificën e gjithë dëshmorëve. Të gjithë ata duke përfshirë edhe dëshmorin Selim Ismail Bislimi, janë vlera e çmuar e kombit shqiptar.

Kështu u tha në Akademinë Përkujtimore në 20-vjetorin e rënies së dëshmorit,  Selim Bislimi, i cili ishte pjesëtar i Njësisë Speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, raporton Ekonomia Online.

Në emër të institucioneve të Kosovës, deputeti Elmi Reçica, tha se shteti i Kosovës u ndërtua nga luftëtarët e Kosovës dhe përkushtimi e sakrifica e tyre për liri.

“Ka pasur përpjekje të vazhdueshme të njerëzve tanë por asnjë formë e rezistencës dhe asnjë formacion nuk e ka arrit atë që ka arrit UÇK.  Të arriturat e sotme të vendit tonë janë rezultat i veprës madhorë të rënies në altarin e lirisë së dëshmorëve të kombit duke përfshirë veprën e dëshmorit Selim Bislimi. Amaneti dëshmorëve për të zhvilluar e ndërtuar shtetin e Kosovës do të jetësohet me punën e popullit. Nuk do ndalemi së fuqizuari shtetësinë tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe respekti i gjithë dëshmorëve të lirisë së kombit”, u shpreh Reçica.

Ndërsa, Emin Musa, në emër të Zonës Operative të Shalës, tha se djemtë e Malësisë së Gollakut me një frymëzim të lartë atdhetar, nuk e pritën armikun në pragun e shtëpisë por shkuan në Shalë të Bajgores për ta luftuar atë.

“Dëshmorët janë vlera më e çmuar e kombit tonë dhe lavdia më e madhe që u lëmë brezave që vijnë pas nesh. Djemtë e Malësisë së Gollakut me një frymëzim të lartë atdhetare, me pjekuri politike nuk e pritën armikun në pragun e shtëpisë por erdhën në Shalë të Bajgores për ta luftuar armikun. Këta djem jo vetëm se ishin në numër por ishin simbolikë e mirë për mbrojtje të atdheut. Njëri nga ushtarët më të veçantë ishte Selim Bislimi”, tha Musa.

Tutje Musa, tregoi për jetën e dëshmorit Selim Bislimi. Ai tregoi se ai braktisën të gjitha privilegjet rinore në Prishtinë dhe u nisën në rrugën për lirinë e atdheut.

“Edhe pse babai i Selimit ishte inxhinier nuk arriti ta shkollojë djalin pasi rrethanat e kohës nuk e lejuan por e edukoi me atdhetari e humanizëm. Selimi bashkë me Ismajlin ishe pjesëmarrës i shumë demonstratave. Pas heroizmit biblik të familjes Bislimi dhe Jashari, Selimi me shokë i braktisën të gjitha privilegjet e jetës rinore në Prishtinë dhe u nisën në rrugën e vetme që do të sillte lirinë”, shtoi Musa, raporton Ekonomia Online.

Në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Muhamet Bilalli, tha se dëshmorët nuk do të harrohen asnjëherë.

“Dëshmorët e kombit kudo që kanë rënë janë pjesë e kujtesës kombëtare. Dëshmori i kombit Selim Bislimi është pjesë e kujtesës sonë historike dhe kombëtare”, tha Bilalli.

Të ngjashme