Dështon mbledhja për dëgjimin e kandidatëve për ambasadorë, Abazi: Opozita po saboton procesin

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi ka bërë të ditur se ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit ku ishte paraparë të dëgjohen kandidatët për ambasadorë në mungesë të kuorumit.

Sipas Abazit, mbledhjen e kishin lëshuar Ariana Shoshi nga PDK dhe Time Kadriaj nga AAK edhe pse janë nënshkruar në fletëprezencë, ndërkohë që Gazmend Gjyshinca dhe Xhavit Haliti nuk kanë qenë të pranishëm pasi ndodhen jashtë vendit.

Lexoni të plotë njoftimin e Abazit.

Sot ka qenë e paraparë të mbahet takimi për dëgjimin e kandidatëve për Ambasador në vende të ndryshme. Prezent në takim kanë qenë: Adelina Grainca, Bahrim Shabani, Dimal Basha, Fitore Pacolli,Haki Abazi

Ariana Shoshi nga PDK dhe Time Kadrija nga AAK kanë nënshkruar në fletëprezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për një datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve.

Gazmend Gjyshinca dhe Xhavit Haliti kanë paralajmëruar pamundësinë për pjesëmarrje për shkak të vizitave jashtë vendit”.

Ndryshe, nga deputetet e opozitës nga PDK e AAK kanë deklaruar se nuk e kanë obligim t’ia bëjnë kuorumin pozitës.

Të ngjashme