Dështon për sivjet ndërtimi i rrugës në zonën e “Fidanishtes”

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Nuk do të ketë fillim të punimeve për ndërtimin e rrugës në zonën e “Fidanishtes”, e cila lidhet me rrugën qarkore të qytetit, ngase ende nuk janë përfunduar procedurat e tenderimit.

Sipas komunarëve, procedurat për përzgjedhjen e kompanisë fituese për ndërtimin e rrugës do të marrin kohë dhe ata llogarisin se punimet të realizohen në vitin 2020, shkruan sot Koha Ditore. Kurse në rrugën aktuale qarkullojnë një numër i madh i automjeteve, ngase ofron kyçje me rrugët e tjera të qytetit, mirëpo rruga është e dëmtuar.

Pushteti komunal vlerëson se vlera e projektit për ndërtimin e rrugës është afro 1 milion euro dhe bashkëfinancohet me Ministrinë e Infrastrukturës. Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, deklaron se projekti nuk mund të realizohet këtë vit, për shkak të zhvillimit të procedurave të prokurimit.

Sipas tij, projekti në fjalë është dashur që të realizohet më herët, mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak që Komuna nuk ka arritur që ta financojë për shkak të kostos. Mirëpo, deklaron se në zonën e “Fidanishtes” ka pasur edhe investime të sektorit privat, që kryesisht janë ndërtime të larta dhe zona e “Fidanishtes” do të inkuadrohet në infrastrukturën urbane.

Të ngjashme