Detaje nga rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga 31-vjeçari në Pejë

Prishtinë | 01 Tet 2021 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Një 13-vjeçare nga fshati Junosh i Gjakovës, është dhunuar për shtatë ditë me radhë, nga 31-vjeçari Egzon Krasniqi nga fshati Treboviq i Pejës. E mitura ishte shpallur e zhdukur, pasi familja nuk dinte gjë për fatin e saj. Pas një jave kërkime, ajo dhe i dyshuari u gjetën.

Pasditen e së enjtes, Egzon Krasniqi e kishte pritur të miturën në dalje të fshatit të saj, ku e kishte marrë me veturën e tipit “Ford Fiesta”.

Të dy kishin shkuar më pas në shtëpinë e Egzonit, por ky nuk do të ishte vendi ku ata do të qëndronin edhe gjatë ditëve tjera.

Mësohet se për t’u fshehur nga familjarët, Egzoni e kishte çuar 13-vjeçaren në lokacione të ndryshme. Kishin shkuar në shtëpinë e dhëndrit të tij e në një motel në Pejë, derisa gjatë gjithë kësaj kohe, 31-vjeçari e kishte detyruar vajzën 18 vjet më të re të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Për t’i humbur të gjitha gjurmët, ata u kthyen përsëri në shtëpinë e Egzonit.

Pas një jave kërkim nga familja, e mitura dhe 31-vjeçari u gjetën në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Express të enjten ka raportuar lidhur me këtë rast. Sipas burimeve brenda Policisë së Gjakovës, 13-vjeçarja të enjten do t’i nënshtrohej një ekzaminimi shëndetësor.

I njëjti burim ka deklaruar se është bërë rikualifikimi i veprës nga “Person i zhdukur” në “Dhunim”.

“Pas intervistimit të palëve, vepra penale nga “Person i zhdukur” është rikualifikuar në “Dhunim”. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë, nën mbikëqyrje dhe bashkëpunim të afërt me prokurorin kompetent”, kanë deklaruar nga policia.

Të ngjashme