Detaje për rastin në “Kodrën e Trimave” ku polici e qëlloi për vdekje qytetarin

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar policor e kishte qëlluar me armë zjarri qytetarin B.B., teksa po kryhej një bastisje në shtëpinë e tij më 8 maj në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Sipas policisë i njëjti ua kishte drejtuar armën zyrtarëve policor duke ua rrezikuar jetën atyre dhe për këtë arsye zyrtari policor e kishte qëlluar atë. Por, dje, në ditën e 24 të mjekimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), B.B., 66-vjeç ka vdekur.

Ky rast është përfshirë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës dhe është hapur si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM /Rr. Abaz Shehu, Prishtinë 08.05.2022 – 09:10. Lidhur me rastin,  me 31.05.2022 personi që ishte duke u trajtuar në QKUK, ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh për rastin në fjalë, transmeton Gazeta Express.

Gazeta Express kishte raportuar për aksionin në fjalë dhe sipas burimeve të Expressit policia i kishte shkuar atij në shtëpi pasi një natë më parë e kishin lajmëruar fqinjët në polici nën dyshimet se ka gjuajtur me kallash.

Policia kishte deklaruar se në shtëpinë e të dyshuarit B.B. ishin pritur me armë, ndërsa vlerësohej se i dyshuari ua kishte rrezikuar jetën policëve.

“Me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtareve policor duke ua rrezikuar jetën e tyre. Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegeve të tjerë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Në shtëpinë e të dyshuarit, Policia thoshte se hasi në “një arsenal armësh që posedonte personi i dyshuar”.

Në postimin më poshtë mund të shihni pamje se çka ishte konfiskuar në shtëpinë e B.B.

Të ngjashme