Detaje të reja për vdekjen e 10 vjeçarit në një kamion në Malishevë, dyshohet se arma e zjarrit ishte e babait të tij

Prishtinë | 04 Tet 2021 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Një fëmijë i moshës 10 vjeç është gjetur pa shenja jete dje në kabinën e një kamioni në Malishevë.

Fëmija është gjetur me plagë në anën e majtë të nofullës nga axha i tij, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur një armë zjarri, një karikator dhe një gëzhojë. Arma e zjarrit dyshohet të jetë e babit të viktimës, tha për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Juniku-Shehu.

Për rastin e vdekjes së fëmijës është autorizuar policia për veprime hetimore, ndërsa me urdhër të prokurores kujdestare trupi i pajetë i tij është dërguar për obduksion.

Për rastin ka dhënë detaje zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Yllka Juniku-Shehu.

“Djali ka qenë në kamion, është gjetur nga axha i tij. Është sekuestruar një armë zjarri brenda në kamion, është gjetur edhe një gezhojë, arma dyshohet të ketë qenë e babait të tij. Fëmija ka pasur plagë në anën e majtë të nofullës”, tha Juniku-Shehu.

E pyetur se cilat janë dyshimet e para mbi vdekjen e fëmijës, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës tha: “ Për momentin pa u kry autposia nuk mundemi me fol asgjë, edhe pse fëmija ka qenë vetëm, po nuk i dijmë saktë rrethanat”.

“Rasti eshte hapur si “Hetim i vdekjes”, është autorizuar policia për veprime hetimore dhe me urdhëresë të prokurores kujdestare, trupi i pajetë ka shkuar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, përfundoi zëdhënësja.

Policia me anë të raportit 24 orësh ka njoftuar se për rastin e vdekjes së fëmijës janë informuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“QKMF Malishevë, 03.10.2021 – 12:54. Nga emergjenca e QKMF, është informuar se nga familjarët, është sjellë pa shenja jete viktima mashkull kosovar (fëmijë). Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur një revole dhe një karikator. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia sot.

Të ngjashme