Dezinfektohet Prishtina, pastrohen rrugët dhe hapësirat e tjera publike

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 09:04 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka filluar pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave të tjera publike si masë parandaluese për mos përhapjen e Coronavirusit, raporton Ekonomia Online.

Pastrimi ka filluar qysh në orën 08:30 të mëngjesit dhe do të vazhdojë deri në ora 22:00, prej qendrës së qytetit dhe do të vazhdojë edhe në pjesët e tjera.

Aksioni do të realizohet dy deri në tri herë brenda javës dhe do të realizohet nga gjashtë kompani të kontraktuara nga komuna e Prishtinës.

Fillimisht do të bëhet larje me detergjent e më pas edhe me klor edhe preparate të tjera të lejueshme.

Pas mesnate në laboratorët e IKShPK u konfirmua një rast i ri pozitiv me COVID-19. Ajo ka ardhur të hënën në Kosovë nga Londra. Gjendja e saj është stabile.

Deri tani në laboratorët e IKShPK u testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv në SARS CoV-2.

Masat që miratoi Qeveria pas paraqitjes së rasteve me Coronavirus:

1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5. Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11. Personat të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme