Dhuna ndaj grave duhet të prioritizohet nëpër kuvende komunale

Prishtinë | 10 Mar 2018 | 14:52 | Nga

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar aktivitete e aksione të ndryshme, për të adresuar, sipas tyre, gjendjen e rëndë në përgjithësi të gruas në Kosovë dhe veçmas trajtimin e dhunës në familje me theks të veçantë dhunën ndaj grave.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit, Vitisë, Shtimes, Kastriotit, Skenderajt dhe Kaçanikut janë mbledhur nënshkrimet dhe janë thirrur seanca të jashtëzakonshme, në të cilat është diskutuar për pabarazinë gjinore në përgjithësi dhe për dhunën ndaj grave në veçanti.

Pas diskutimeve , sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje janë miratuar edhe deklarata dhe rekomandime për përmirësimin e gjendjes së grave në Kosovë.

”Kuvendarët lokalë, brenda rolit dhe përgjegjësive të kuvendeve komunale kanë identifikuar masa nga më të ndryshmet për të shprehur përkushtimin për t’u angazhuar në vazhdimësi për adresimin e dhunës në familje dhe parandalimin e saj, në bazë të kompetencave që ka komuna, si dhe në funksion të rritjes së vetëdijes institucionale dhe shoqërore mbi dhunën në familje”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Rekomandimet e nxjerra nga mbledhet e kuvendeve komunale i gjeni të bashkangjitura më poshtë:

– Raportim në baza të rregullta në Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për rastet e dhunës në familje;

– Fuqizimi i mekanizmit Kundër Dhunës në Familje dhe raportimi një herë në vit në Asamble;

– Në raportimin e komandantit të stacionit të Policisë së Kosovës në komunë, të ketë informim të veçantë për dhunën në familje. Po ashtu, Policia e Kosovës të sigurojë linjë të veçantë telefonike për raportimin e dhunës në familje;

– Të shtohet përkrahja nga qeveria komunale për organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e grave nga dhuna;

– Profesionalizimi i stafit për Punë dhe Mirëqenie Sociale që do të merrej me gratë viktima të dhunës në familje;

– Krijimin komisioneve që do vlerësonin gjendjen e shfrytëzuesve aktual të banesave sociale, në mënyrë që këto banesa t’i kthehen Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale për nevojat e saja edhe për gratë viktima të dhunës;

– Shqyrtimi i mundësive që nga të hyrat vetanake të krijohet një fond i posaçëm për t’iu dalë në ndihmë grave viktima të dhunës në familje.

– Të fuqizohet mekanizmi për koordinim në Komunë mbi dhunën në familje, me qëllim që të përmirësohet koordinimi midis institucioneve përkatëse dhe të ofrohet një qasje e përmirësuar për raportim nga Njësia për të Drejta e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

– Të organizohen fushata sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese kundër dhunës ndaj grave, përmes punëtorive të ndryshme, e programeve në institucionet arsimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme