Dhuna në familje, BIK-u me ligjëratë në të gjitha xhamitë kundër kësaj dukurie

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 23:17 | Nga Ekonomia Online

Me rekomandim të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim ef, Tërnava në të gjitha xhamitë e Kosovës është mbajtur hytbe me temën kushtuar fenomenit të dhunës në familje.

Kjo hytbe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme gjegjësisht Njesititit kundër dhunës në familje, ku ditë më parë komandanti i operativës nënkolonel Arbresh Ajvazi u prit nga myftiu Tërnava në selinë e BIRK- ut.

Në mes tjerash në këtë hytbe thuhet se ndër problemet e shumta me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri është dhe dhuna në familje. Dëshmitë në terren flasin për përmasat shqetësuese të saj. Dhuna tashmë ka eskaluar duke prekur familjen në tërësi. Pra, nuk është vetëm gruaja objekt i dhunës, por edhe burri, edhe prindërit, edhe fëmijët. Është gjendje alarmante e cila duhet të vë në lëvizje tërë shoqërinë me të gjitha institucionet dhe mekanizmat. Referuar studimeve të ndryshme, si shkaqe që çojnë në këtë , përveç tjerash, janë edhe: dobësimi i elementit fetar, edukimi i keq, dhënia pas konsumimit të alkoolit dhe lëndëve narkotike, gjëra këto që na kanë shtyrë të mobilizohemi edhe ne, si institucion, dhe ja, kjo hutbe që sot po mbahet me urdhër të Kryesisë së BIRK-ut, është hap konkret në luftimin e kësaj dukurie negative.

Dhuna nënkupton çdo fjalë, veprim, lëvizje a aludim me efekt shqetësimi fizik a shpirtëror. Nga ky këndvështrim, dhuna paraqet shkelje të të drejtave, të dinjitetit, të krenarisë, gjë që dënohet fetarisht. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëmadh na urdhëron për përmbajtje nga padrejtësia, pavarësisht se për çfarë apo kë bëhet fjalë:

“…mos tejkaloni kufirin! – Se, Allahu, nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” [Bekare: 190]

Allahu e ka ndaluar dhunën edhe për një arsye shumë madhore. Ai, si Krijues, është i drejtë, andaj drejtësinë dhe sjelljen me përgjegjësi e kërkon prej të gjithë neve. Në hadith kudsij qëndron:

“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe të tillë e kam caktuar në mesin tuaj, andaj mos i bëni njëri tjetrit padrejtësi!” Muslimi.

Bile, si imazh identifikues të muslimanit, e ka bërë pikërisht përmbajtjen nga dhuna. Në hadith autentik qëndron: “Musliman është ai që të tjerët janë të sigurt nga gjuha dhe dora e tij.” Buhariu.

Pra, dhuna nuk përkon me besimtarin dhe karakterin e tij.

Feja mund të luajë rol të rëndësishëm në evitimin e kësaj dhe dukurive tjera negative në shoqëri. Na mbetet neve, edhe si individë, që këto mësime t’i përcjellim, veçmas në ato ambiente ku mendojmë se ka dhunë, në mënyrë që të kontribuojmë konkretisht. Mos të harrojmë, “Ai që udhëzon për në të mirën, ka shpërblimin sikur ta ketë bërë atë!”

Të ngjashme