Dhuna në familje nuk ka shënuar rritje gjatë kohës së pandemisë

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Dhuna në familje nuk ka shënuar rritje gjatë kohës së pandemisë, por Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje shprehet i brengosur nëse ndodhë që në këtë situatë izolimi, viktima dhe dhunuesi duhet të rrinë bashkë.

Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje në Komunën e Gjilanit, në pamundësi të organizmit të takimeve të rregullta për shkak të pandemisë, ka mbajtur takim virtual, ku është njoftuar për gjendjen e dhunës në familje gjatë kësaj periudhe, thotë Lindita Salihu, koordinatore e këtij Mekanizimi.

Ajo thotë se nga informatat e ofruara prej institucioneve përgjegjëse, del se dhuna në familje në komunën e Gjilanit nuk ka shënuar rritje.

“Na gëzon fakti që dhuna në familje nuk ka shënuar, mirëpo në anën tjetër jemi të shqetësuar në këtë situatë izolimi që ndoshta viktimat e dhunës i kemi të mbyllura në ambiente me kryerësit e dhunës dhe nuk raportojnë, duke menduar se institucionet kanë punë të tjera në këtë gjendje të pandemisë dhe nuk kanë kohë të merren me ta”, ka thënë Salihu.

Ajo, në emër të Mekanizimit Koordinues, u ka bërë thirrje qytetarëve që t`i raportojnë rastet e dhunës, kurdo që ndodhin, sepse nuk ka orë policore për raportin e dhunës.

“Iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë rastet e dhunës. Nuk ka orë policore për raste të tilla, dhuna mund të raportohet 24 orë dhe asnjëherë nuk duhet të hezitojnë dhe të  ndihen të turpëruar për ta bërë këtë, deri sa kemi institucione që i mbështesin dhe i ndihmojnë në mënyrën më të mirë viktimat”, ka thënë Salihu.

Salihu ka thënë po ashtu se rastet e dhunës janë urgjente dhe trajtohen me urgjencë.

“Raporto dhunën, shpëto jetë. Nëse jeni viktimë e dhunës në familje, lajmëro rastin në institucionin më të afërt: Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Strehimorja “Liria”, Njësia për të Drejtat e Njeriut – Komunë, Prokuroria, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Gjykata, Mbrojtësi i Viktimave (Objekti i Prokurorisë), Ndihma Juridike Falas (Objekti i Prokurorisë).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme