Dhuna në shkolla, reagon Avokati i Popullit – kërkon që rastet të trajtohen deri në fund

Prishtinë | 30 Maj 2021 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin lidhur me videon e publikuar në Prishtinë ku një fëmijë shihet duke u rrahur brutalisht nga moshatarët e tij dhe videon tjetër në Gjakovë ku po ashtu një fëmijë rrahet brutalisht.

Avokati i Popullit ka theksuar se dhuna ndaj dhe në mes të fëmijëve është e patolerueshme.

“Të gjitha format e dhunës dhe keqtrajtimit rrezikojnë dhe dëmtojnë integritetin fizik, mental dhe moral të fëmijës si dhe përbëjnë një shkelje të të drejtave themelore të fëmijës, të përcaktuara me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës obligon institucionet të zhvillojnë dhe zbatojnë politika dhe programe me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së fëmijës, parandalimit të rrezikut për jetën dhe ҫçfarëdo lloj dhune. Fëmijët duhet të mbrohen nga dhuna pavarësisht vendit ku kryhet, e veçanërisht në institucionet arsimore”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka bërë thirrje shkollave përkatëse që të trajtojnë rastet deri në zgjidhjen e tyre dhe të sigurojnë që fëmijët, viktima të ngacmimit (bullizmit) janë të sigurt dhe duke marrë mbështetjen e duhur psikologjike.

“Po ashtu, të gjithë fëmijët të përfshirë në dhunë duhet të marrin trajtim psikologjik nga shkollat. IAP i bën thirrje Policisë së Kosovës që merret me rastet të veproj menjëherë në përputhje me procedurat e parapara ligjore. IAP i bën thirrje MASHT që të bashkëpunojë me shkollat dhe komunën në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive”, thuhet në reagim.

IAP gjithashtu ju ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës në mobilizim dhe adresim të dhunës sepse luftimi dhe parandalimi i dhunës është përgjegjësi gjithëshoqërore.

Të ngjashme