Dialogu sërish në pauzë, nuk dihet data e takimit të radhës

Prishtinë | 26 Dhj 2020 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Ende nuk ka datë të caktuar për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përveç pandemisë tashmë edhe rënia e Qeverisë në Kosovë është bërë një arsye shtesë që ky proces të pezullohet. Edhe pse nga Qeveria e Kosovës po thonë se do të angazhohen në këtë çështje, monitoruesit e këtij procesi insistojnë se dialogu duhet të ndërpritet në këtë kohë. Siç thonë ata me rënien e Qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit, nuk mbetet më askush për ta monitoruar procesin.

Përveç që rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për formimin e ekzekutivit, pezulloi edhe një proces të rëndësishëm për Kosovën.

Bëhet fjalë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, proces i cili sipas monitoruesve nuk duhet të vazhdojë në këtë situatë në të cilën ndodhet Kosova.

Sipas tyre me rrëzimin e Qeverisë dhe me shpërbërjen e Kuvendit, vazhdimi i dialogut do ta degradonte Kosovën në proces.

Lidhur me çështjen e pezullimit të dialogut Kosovë-Serbi, Antigona Baxhaku zëdhënëse e Qeverisë, ka thënë për Express, se nga kryeministri do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Ai ka thënë qartë se do ta respektoj pa asnjë diskutim vendimin e GJK-së dhe Qeveria në Detyrë do të kryej të gjitha obligimet që parashihen në rrethana të tilla”, ka thënë ajo për Express.

Edhe pse nga Qeveria janë zotuar që do të vazhdojnë të punojnë brenda kompetencave ligjore që ka ekzekutivi, monitoruesit e këtij procesi po pohojnë se dialogu nuk mund të vazhdojë pa u formuar institucionet e Kosovës.

Violeta Haxholli, monitoruese e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Express se dialogu i pa mbikëqyrur nga Kuvendi nuk mund të vazhdojë.

“Besoj që nuk do të ketë takime te dialogut mes Kosovës dhe Serbisë deri sa të formohen institucionet e reja në Kosovë, Qeveria, Presidenti dhe Kuvendi i ri. Edhe pse kemi Qeverinë në detyrë dialogu nuk do mund të vazhdoj, sepse këto ditë do të shpërndahet Kuvendi i cili është institucioni kushtetues që e mbikëqyrë politikën e jashtme, me këtë rast edhe dialogun. Pra nuk mund të vazhdoj dialogu i pa mbikëqyrur nga Kuvendi”, ka thënë Haxholli për Express.

Në ndërkohë Arbër Fetahu hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), mosvazhdimi i dialogut do të ishte zgjidhja e duhur në këtë situatë.

“Besoj që do të ndikojë në mosvazhdimin e dialogut. Dhe në këtë situatë të krijuar mosvazhdimi i dialogut do të ishte hapi më i duhur, kjo për arsye se pozicioni i Kosovës do të ishte jashtëzakonisht i dobësuar me një qeveri në largim e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të veproj ë Qeveria e Kosovës me situatën e re të krijuar”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij, çdo takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel gjatë kësaj periudhe do të ishte degradim i pozicionit të Kosovës në dialog.

“Nuk ka sens që dialogu t ë vazhdoj me një qeveri që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jolegale. Çdo takim në Bruksel tash e tutje do të ishte degradim edhe i pozicionit të Kosovës në këtë dialog. Vendimet dhe veprimet e Qeverisë në këtë proces do të kontestoheshin nga të gjithë, edhe Qeveria pasardhëse cilado që të jetë ajo. Tutje, Serbia do ta shfrytëzonte këtë brishtësi të palës kosovare për të imponuar pozicionin e saj në dialog”, ka thënë më tutje ai.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo qeveri ishte votuar, më 3 qershor, nga 61 deputetë. Gjykata ka dhënë arsyetimin duke thënë se vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka zhvilluar diskutimet me partitë politike, për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Në ndërkohë në mes të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai nga fundi i vitit 2018 u ndërpre për 20 muaj për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, për tu rinisur në korrik të 2020-ës, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovë, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Një takim tjetër i këtij niveli u mbajt edhe në muajin shtator. Por, së fundmi, Hoti dhe Vuçiq, nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk janë mbajtur për shkak të pandemisë së koronavirusit, teksa ato në nivel të ekspertëve kanë vazhduar.

Dialogu ka mbetur tek diskutimi për çështje pronësore e financiare në nivel të ekspertëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme