Die Presse: Ide e re për një Union Ballkanik si BE-ja, pastaj anëtarësimi kolektiv

Prishtinë | 06 Qer 2019 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Politika e zgjerimit të BE-së ndodhet në rrugë pa krye, shkruan e përditshmja vjeneze, dhe shton se alternativë do të mund të ishte formimi i Unionit Ballkanik sipas modelit të BE-së, transmeton Koha.net.

Nëse do t’ia dilnin, vendet e rajonit do të mund të anëtarësoheshin kolektivisht në BE, shton kjo gazetë.

Bëhet fjalë për një propozim, sipas të cilit raportet midis BE-së e Ballkanit Perëndimor të definohen nga fillimi.

Siç thekson kjo gazetë, BE-ja bëhet sikur e ka ndërmend t’i pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor, kurse ato sikur dëshirojnë të anëtarësohen, mu si në barcoletën nga koha e real-socializmit, kur planifikuesit komunistë bëheshin sikur po i paguanin punëtorët, ndërsa ata sikur po punojnë.

Mirëpo, situata nuk është për shaka në asnjërin nga vendet, meqë janë të pranishme papunësia, zbrazja e popullsisë, përdorimi cinik i historisë si instrument politik, shkruan Presse, duke vënë në dukje se ndonëse vendet e Ballkanit po krijojnë ekonomi me shpresën se një ditë do të anëtarësohen, kjo nuk ka qenë pengesë që në këtë territor gjendja sot të jetë më e rrezikshme se asnjëherë që nga mbarimi i luftërave, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye kjo gazetë vlerëson se politika e zgjerimit të BE-së në këtë drejtim ka pësuar disfatë.

Tani është rasti për vendim drastik politik, dhe BE pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, me udhëheqjen e re, do të mund të tërhiqte frenat, meqë shumica e qytetarëve nuk janë të interesuar për pranim të anëtareve shumë të varfra dhe të stërngarkuara institucionalisht, për pasojë të heqë dorë plotësisht nga qëllimi që vendet e rajonit t’i përgatisë për pranim.

Një politikë e tillë do të ishte gabim historik, thekson gazeta.

Frika sipas të cilës në këso rrethanash Kina, Rusia dhe Turqia do të ndanin në mes tyre rajonin do të konfirmohej shpejt, ndërsa për stabilitetin politik Kremlini, sikundër as Partia Komuniste e Kinës, ose as autokratët turq nuk janë të interesuar, kështu që fundi i tensioneve ndër popujt ballkanikë do të ishte i paimagjinueshëm, transmeton Koha.net shkrimin e kësaj gazete.

Ajo thekson se BE-ja nuk guxon të sillet sipas asaj “larg sysh, larg zemrës”, meqë bëhet fjalë për problem mu në kufi të Unionit.

“Për këtë shkak është i nevojshëm propozimi për raporte të reja midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke ofruar: Ju krijoni brenda dhjetë vjetësh Unionin Ballkanik sipas modelit identik të BE-së – duke hequr kufijtë, me treg unik me të katër liritë themelore, politikën e përbashkët energjetike, politikën e përbashkët telekomunikuese, komunikacionin, që të gjitha bashkë me të drejtat qytetare”, thekson Presse.

Bëhet fjalë, thuhet, për zbatimin real të të drejtave të BE-së, ashtu, siç thonë që të gjithë kandidatët se duan ta bëjnë.

“Ne BE-ja, ju mbështesim me pesë fishë më shumë para se deri tash përmes ndihmës anëtarësuese. Kjo atëherë do të ishte 60 miliardë euro. Kaq para, në fakt, jep Unioni në vit për nxitjen e bujqësisë së vet. Dhe kur t’ia dilni gjithë kësaj do t’ju pranojmë të gjithëve bashkë, në vend të sistemit aktual përmes regatës fingirane, i cili fsheh rrezikun që, për shembull, Serbia pas pranimit të bllokojë pranimin e Shqipërisë, ose të ngjashme”, thekson gazeta vjeneze Presse.

Sipas saj, kjo do të mund të quhej “Plani i ri i Schumannit”, meqë deklarata e shefit të diplomacisë franceze Robert Schumann nga viti 1950 është aktuale për detyrat aktuale politike në Ballkanin Perëndimor.

“Europa nuk mund të bëhet me një të goditur dhe nuk është një bashkim i thjeshtë. Lind përmes veprimeve konkrete”, rikujton kjo gazetë fjalët e Schumannit, transmeton Koha.net.

Në fund kjo gazetë thekson se kjo nuk ka kurrfarë lidhje me rindërtimin e sërishëm të Jugosllavisë së dështuar.

Bëhet fjalë para së gjithash për atë që shoqërisë së guximshme civile t’i jepet autorizimi që politikanët t’i detyrojë të solidarizohen që Ballkanin Perëndimor përfundimisht ta bëjnë europiane, përfundon teksti në gazetën Die Presse, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme