“Die Welt”: Arabia Saudite përhapi salafizmin në Kosovë

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 18:08 | Nga

Mediat gjermane vazhdojnë të raportojnë për islamizmin në rritje në Kosovë duke theksuar se përhapja e rrymave radikale të fesë është bërë nëpërmjet financave nga Arabia Saudite.

Gazeta “Die Welt” i kushton vëmendje islamizmit në Kosovë, duke theksuar, se Kosova krahasuar me numrin e popullsisë ka dendësinë më të madhe të islamistëve në Europë. Në shumë xhami kërkohet të rekrutohen milicë terroristë.

Nga njëra anë shëtisin në sheshin para monumentit të Bill Clintonit vajza të reja të veshura me funde, shumë pak mbajnë shami koke, shkruan gazeta gjermane. Por kjo është njëra anë e shtetit të ri të Kosovës, sipas “Die Welt”.

Ana tjetër duket pak metra më larg në një xhami të futur mes ndërtesave. Para saj qëndrojnë dy burra me mjekra të gjata që reagojnë me agresivitet ndaj kamerave ‘futi ato brenda, ndryshe do kesh probleme’. Një tjetër ofrohet dhe përpiqet të qetësojë situatën: “Mos jini kaq agresivë me miqtë”

Sipas gazetës “Die Welt” arsyet e përhapjes së salafizmit në Kosovë gjenden në Bosnjën e viteve 90-të.

Sipas gazetës gjermane, “në Kosovë salafistët zunë vend pas bombardimit të NATO-s në Jugosllavinë e mbetur….Me ndihmën e parave arabe Kosova laike brenda pak vitesh u bë një fortesë e salafizmit në Europë”, transmetojnë mediat.

Një imam, Visar Duriqi pyetur nga gazeta gjermane është shprehur se ai e ka përjetuar vetë se si u radikalizuan bashkënxënësit e tij. Gazeta gjermane shkruan, se ai zgjodhi rrugën tjetër, u bë gazetar dhe raporton për islamizmin.

“Shkollën e dikurshme ai e sheh me sy kritik. Na mësuan një islam që i bën njerëzit të vrasin”, tha ai.

“Die Welt” vëren se pas ndalimit të fondacioneve nga Arabia Saudite “është bërë edhe më e vështirë transparenca e burimeve financiere. E nuk mund të verifikohet, nëse derdhen para në Kosovë dhe drejt kujt”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme