Diplomatja greke: Kosova ka ende nevojë për EULEX-in

Prishtinë | 13 Kor 2019 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Diplomatja greke, Alexandra Papadopoulou e cila është në ditët e fundit të mandatit të saj në EULEX ka thënë se Kosovës akoma i duhet ndihma e tyre, duke theksuar se pritjet e ndërkombarëve akoma nuk janë përmbushur.


Papadopoulou, thotë se pritjet ishin joreale, ndërsa tregon se shumë prej sukseseve që ka arritur misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kanë mbetur në hijen e perceptimit negativ për dështimet në adresimin e korrupsionit dhe krimeve të luftës.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Papadopoulou, e cila largohet nga misioni për të zënë vend në kabinetin e kryeministrit të ri të Greqisë, thotë se gjatë punës këtu ka identifikuar shumë prej defekteve të gjyqësorit kosovar, dhe një numër sosh kanë nisur të adresohen prej institucioneve. Beson se EULEX-i duhet të mbetet në Kosovë, sepse ka ende rol për të luajtur.

Në lidhje me krimet e luftës ajo zbulon se problemi kryesor kohë të gjatë ishte fakti që ligjet kosovare pamundësonin gjykimin në mungesë, por se tani, që kjo gjë është adresuar, janë shumë raste të krimeve të luftës që kanë kryer serbët e që EULEX-i i ka bartur tek autoritetet lokale, dhe këto tashmë nuk ka pengesë të gjykohen në Kosovë.

Në fund, Papadopoulou thotë se largohet nga Kosova e trishtuar dhe e brengosur për shkak të largimit të njerëzve nga vendi.

Të ngjashme