Disa dënime nuk e mbushin mend kosovarin, dëbohet nga Zvicrra

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 09:37 | Nga

Një kosovar që sot është 40 vjeç kishte ardhur në Zvicër në moshën 17 vjeçare në kuadër të bashkimit familjar. Nga viti 2003 ai kishte marrë lejen e qëndrimit të përhershëm (Viza C). Ndërkohë është martuar dhe sot ka dy fëmijë. Qysh në moshën 19 vjeçare ai ka rënë në konflikt me ligjin.

Fillimisht bëhej fjalë për veprën penale në komunikacion dhe përleshje ndërsa me kohë ka filluar të përfshihet edhe në akte falimentimi, keqpërdorime financiare dhe sërish vepra penale në komunikacion. Të gjitha këto e përballën kosovarin me ligjin dhe me gjykime të ulëta.

Por, në maj 2014 Gjykata e Qarkut në Lenzburg i shqiptoi atij dënimin prej 30 muajsh burgim për vjedhje të rëndë me banda, për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe delikte tjera.

Në janar të vitit 2015 ai u dënua edhe një herë për ndihmesë në vjedhje dhe shkaktim dëmesh materiale me pesë muaj burg.

Pas gjithë kësaj, meqë ai tashmë kishte pasur një paralajmërim, Zyra Kantonale për Migracion ia shqiptoi vendimin për dëbim nga Zvicra. Fillimisht ajo ia hoqi lejen e qëndrimit dhe ia shqiptoi vendimin që pas vuajtjes së dënimit të lëshojë vendin.

Së fundi kosovarit i dështoi edhe mjeti i fundit juridik, ankesa që ai e drejtoi në Gjykatën Federale. Kjo e fundit e hodhi poshtë ankesën me arsyetimin se “interesi publik për dëbimin e tij, marrë parasysh peshën në rritje të delikteve, është i madh.

Fakti se ai për më shumë se 20 vjet ka jetuar në Zvicër dhe këtu ka familjen, nuk ndryshon asgjë në këtë punë. Së paku gruaja, e cila po ashtu vjen nga Kosova, por edhe djali i vogël, munden të përshtaten me jetën në Kosovë. Por, ata mund edhe të jetojnë në Zvicër, me leje qëndrimi të përhershëm ndaras nga kryefamiljari”, përfundon arsyetimi i gjykatës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme