Disa fermerë me viza mbesin në Kosovë, reagojnë punëdhënësit e tyre në Austri

Prishtinë | 08 Maj 2020 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra fermerë kosovarë të cilët angazhohen rregullisht muajve të verës si punonjës sezonal në fermat austriake, mund ta kenë humbur këtë mundësi këtë vit.

Siç raporton portali austriak ORF.at, stafi i rregullt i fermerëve të fermës Eferdinger të Eferdingenit, një fshati në veri të Austrisë, janë nga Kosova.

Por, fermerët kosovarë nuk kanë mundur këtë vit t’i bashkohen firmës me të cilën kanë kontrata, ndonëse posedojnë leje pune. Atyre u mungojnë vizat, sepse Ambasada e Austrisë në Kosovë është e mbyllur. Kësisoj as shërbimet nga kjo ambasadë nuk mund të kryhen.

Punëdhënësit e fermerëve kosovarë po kërkojnë nga Qeveria Federale e Austrisë që t’i lehtësojë masat për arritjen e tyre në Austri.

Të premten, rreth 220 fermerë me viza pune do të arrijnë në Austri nga Ukraina. Ata kryesisht pritet të ndihmojnë me korrjen e luleshtrydheve.

Ndërkaq, Qeveria Federale ka thënë se është duke krijuar lehtësime për fermerët që angazhohen me punë sezonale gjatë verës në Austri.

Të ngjashme