Disa invalidë të luftës ende s’marrin pensione

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 08:39 | Nga

Jo të gjithë invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë marrë pensionet.

Një pjesë e tyre ende nuk po gëzon pensionet që me ligj u takojnë.

Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ka marrë mjaft ankesa nga invalidët e luftës për padrejtësitë që po u bëhen.

Qeriqi ka thënë se sipas kritereve të përcaktuara me ligj janë duke i marrë pensionet veteranët, si dhe një pjesë tjetër e invalidëve të luftës. Por, sipas tij, është edhe një pjesë e invalidëve që nuk po i merr këto pensione.

“Është një pjesë e kategorisë së invalidëve të luftës që është ndarë të vlerësohet me komision. Derisa të formohet një komision mjekësor prej anës së Qeverisë dhe t’i vlerësojë ata nuk mund t’i marrin pensionet”.

Qeriqi thotë se kjo kategori nuk po merr pensionet sepse duhet të nxirret edhe një udhëzim administrativ prej Qeverisë, të pasohet me formimin e komisionit mjekësor për caktimin e shkallës së invaliditetit.

“Dhe kjo është një pjesë (invalidët) që na është thënë se nuk i kanë pasur me rregull dokumentet dhe pastaj u bllokua procesi, e mbyllën komisionin. Dhe këta invalidë pa hyrë në komision nuk kanë mundur e as nuk munden t’i gëzojnë të drejtat”.

Të ngjashme