Disa persona që u angazhuan në zgjedhje nuk i morën pagat, KQZ tregon arsyen

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka proceduar të gjitha listat për pagesa në Ministrinë e Financave.

Të gjitha listat e pagesave të personave që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit janë proceduar në Ministrinë e Financave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka bërë të ditur Elezi.

Sipas Elezit, sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj radhe ka raste kur janë kthyer mjetet dhe siç theksoi ai, kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve që kanë ndodhur në shënime.

“Sikurse në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje po kemi raste kur mjetet kthehen, çka do të thotë se pagesa nuk bëhet. Arsyet janë të ndryshme dhe të cilat kryesisht kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale”, tregoi Elezi për lajmi.net.

Ai po ashtu ka theksuar se të gjithë personave që nuk i kanë dalë mjetet në llogaritë e tyre, duhet të paraqesin përmirësimet e të dhënave.

“Çdo person, të cilit nuk i kanë dalë mjetet, duhet të komunikojë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve. Aty duhet të paraqesë përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta riprocedojmë/ridërgojmë për pagesë”, theksoi Elezi.

Ndryshe në zgjedhjet e 6 tetorit fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 221 mijë e 1 vota apo 26.27 për qind.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.54 për qind apo 206 mijë e 516 vota, ndërkaq e treta në këto zgjedhje ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 178 mijë e 637 vota apo 21.23 për qind. 

Të ngjashme