Diskutohet për lajmet e rreme, kërkohet që mos të lexohen portalet e dyshimta

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 17:03 | Nga

Organizata “Paqja Studentore” ka organizuar sot diskutim në departamentin e Gazetarisë  të  Universitetin e Prishtinë s, lidhur me lajmet e rreme, identifikimin dhe mbrojtjen prej tyre.

Në këtë diskutim,  para studentëve të gazetarisë kanë folur Kreshnik Gashi, redaktor në medium Kallxo.com dhe Alban Zeneli, asistent në Departamentin e Gazetarisë në UP, raporton Ekonomia Online.

Gashi ka thënë se portalet që prodhojnë lajme të rreme ekzistojnë për arsye se ato lexohen nga qytetarët, pasi publiku nuk është mjaftueshëm i edukuar lidhur me këtë fenomen. Ai ka bërë thirrje që këto portale të mos lexohen sepse duke bërë një gjë të tillë, sipas tij, ato vetëm sa zhvillohen edhe më shumë.

“Arsyeja pse portale ekzistojnë, pse këta njerëz lejojnë me bo lajme të rreme është se ne jemi duke i lexuar, është se publiku nuk është mjaftueshëm i edukuar që kur të ka lajme të tilla, ku nuk shkruan autori, ku nuk shkruan kush është prapa atij portali, ku nuk shkruhen burimet, ku lajmi është në nivel të supozimit, këta njerëz thjesht me vendos dhe me i leçitë këto portale, mos me i lexu më, mos me i ble më. Sepse në momentin kur i kemi klikuar veç i kemi blerë dhe ua kemi krijuar mundësinë që ata me u zhvillu tutje”.

Gashi u tha studentëve të gazetarisë se ata kur të fillojnë punën si gazetarë duhet të jenë të vetëdijshëm që kanë përgjegjësi ligjore dhe penale.

Ai theksoi se gjykatat në Kosovë nuk kanë mbërritur standardin për t’i gjykuar këto lëndë, por u shpreh optimist që në të ardhmen njerëzit që merren me prodhimin e lajmeve të rreme, që dëmtojnë duke shpifur dhe nuk respektojnë standardet e gazetarisë.

“Mundeni me pas përgjegjësi ligjore dhe penale, çka është e rëndësishmja mundeni me pas përgjegjësi me Ligjin Civil për Shpijen tona. Gjykatat tona ende nuk kanë mbërritur standardin me i gjyku këto lëndë shpejt dhe në kohë dhe për t’i sanuar dëmet. Por, nuk do të thotë që nesër dhe pasnesër nuk kemi me pas gjykata të cilat kanë me i kry punët shpejt, që kanë me i gjyku këto lëndë dhe përfundimisht njerëzit që merren me ‘fake news’, njerëz që po dëmtojnë duke shpikur, duke mos respektuar standardet primare të gazetarisë kanë me mujt me i dhënë llogarinë e tyre dhe kanë me pësu”.

Asisteni në Departamentin e Gazetarisë, Alban Zeneli, ka thënë se është mëse e rëndësishme që lënda e Edukimit Medial të futet në shkollat e Kosovës.

“Mendoj se shoqëria kosovare duhet të merret me një element jashtëzakonisht të rëndësishëm që është edukimi për mediet.  Shkollimi publik në Kosovë duhet patjetër ta ketë një lëndë të tillë, unë besoj obligative, për të gjithë studentët me që duke parë sot se secili student është duke u informuar në kohë reale, por nuk ka asnjë informatë si duhet të mbrohet prej asaj përmbajtje që mund të jetë e kornizuar keq, mund te jetë me këndvështrim gabim, mund të jetë komplet i rremë ose forma tjera të ‘fake news’”.

Zeneli tha se lloji i parë që studiuesit e përcaktojnë si lajm të rrem është kur lidhja mes titullit dhe fotografisë nuk korrespondon me tekstin. Formë tjetër sipas tij është kur ngjarja nxirret nga konteksti dhe vendoset në një kontekst të ri, dhe kur përmbajtja është çorientuese.

Kaltrina Jashari, kandidate për kryetari të Fakultetit të Filologjisë nga organizata “Paqja Studentore” tha se kanë përgatitur një fushatë vetëdijësuese për lajmet e rreme e cila ka për qëllim që të ndihmojë në identifikimin e lajmeve të rreme dhe mbrojtjen nga to.

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme