Distanca sociale është arma më efikase e Kosovës

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 07:44 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse shtetet anëtare të BE-së kanë pasur në fillim qasje të ndryshme në masat të cilat i kanë ndërmarrë për t’u përballur me përhapjen e koronavirusit, tash pasi kanë kaluar disa javë, janë nxjerrë edhe shumë mësime. Ato mund të përmblidhen në disa pika të cilat mund t’i marrë parasysh edhe Kosova.

Mësimi më i mirë është ai se nuk ka në këtë moment ndonjë armë më të mirë sesa distancimi social, sado i vështirë të jetë ai për një shoqëri të hapur, të mësuar me liritë e saj të pakufizuara, raporton KOHA.

Italia kishte nisur e para me masat e tilla, por shumë ekspertë mendojnë se ishte vonuar. Duke pasur parasysh se ende nuk ka vaksinë për Koronavirusin, ndërsa shpejtësia me të cilën po përhapet është shumë e madhe, shumica e shteteve e kanë kuptuar këtë betejë sikur blerje kohe për t’u mundësuar spitaleve të bëhen gati.

Nëse marrim shembull Belgjiken, si një shtet as të madh e as të vogël, nxjerrim një mësim të mirë.

Sot Belgjika ka të konfirmuara më shumë se 10.000 raste, ndërsa janë shënuar 450 vdekje nga Koronavirusi. Por, asnjë vdekje nuk ka qenë pasojë e mungesës së kujdesit në Spitale apo e pajisjeve mjekësore në Belgjikë, siç ka ndodhur në Itali apo Spanjë. Belgjikës ngadalësimi i përhapjes i ka mundësuar që të përgatitë kapacitete në spitale. Tash, edhe pse janë shënuar mbi 10.000 raste, Belgjika ka ende të lirë 2/3 e kapaciteteve në kujdesin intensiv nëpër spitale.

Tash shënohen diku mes 1500 dhe 2000 raste të reja në ditë. Por, po ashtu rreth 300 në ditë lirohen nga Spitali. Në këtë mënyrë, situata është ende e menaxhueshme. Sikur në Belgjikë para dy javësh do të kishte 2000 raste në ditë, situata do të ishte tragjike.

Pra, numrat e të infektuarve nuk paraqesin ndonjë problem serioz në këtë moment, nëse kjo siguron vende, pajisje dhe staf mjekësor të nevojshëm për përkujdesje në spitale.

Të ngjashme