Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës i gjen fëmijët në rrugë

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Sot është dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, një ditë reflektimi, autokritike dhe reagimi përballë heshtjes së shurdhët institucionale.
Në emër të kësaj dite, në emër të parimeve të KDF-së të cilën shteti i Kosovës e aspiron përgjatë gjithë legjislacionit, dhe në emër të misionit tonë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, KOMF apelon edhe një herë karshi gjithë institucioneve përgjegjëse, të reagojnë, të mbrojnë dhe të largojnë në mënyrë të menjëhershme fëmijët nga rruga.

Institucionet përgjegjëse nuk po e trajtojnë aspak çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmarrin asnjë iniciativë të vetme për të mbrojtur këta fëmijë, përderisa mirëqenia e tyre vihet në rrezik të vazhdueshëm. Kjo bëhet më e dukshme e për fat të keq edhe më e dhimbshme, në këtë fillim dimri i cili e gjen Kosovën sërish të papërgatitur për të mbrojtur këta fëmijë dhe në anën tjetër i gjen fëmijët të brishtë përballë temperaturave e të ftohtit të papërballueshëm.

 Dita e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve këtë vit, duhet të jetë një këmbanë alarmi që bie në rrugët e qyteteve ku këtyre fëmijëve çdo ditë u shkelen të drejtat, u vriten ëndrrat e u mohohet fëmijëria.

 Numri i fëmijëve të pambrojtur në rrugët e Kosovës, vazhdon të jetë shumë i lartë. Ritheksojmë se vetëm brenda tre ditëve gjatë muajit Qershor, në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit organizata Terre des hommes ka vëzhguar 153 fëmijë në situatë rruge duke kryer punë të rënda si kërkim lëmoshë, riciklim apo shitje të gjësendeve të ndryshme.

 Fëmijët në situatë rruge mbesin shumë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të tyre, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional. Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën e tyre. Fëmijët kërkojnë lëmoshë në orët e para të mëngjesit por edhe gjatë orëve të vona të natës, duke e vënë veten përballë rrezikut të vazhdueshëm të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

 KOMF i rikujton Qeverisë së Kosovës, Komunave dhe institucioneve përkatëse, përgjegjësinë dhe detyrimin e tyre për të garantuar të drejta, mbrojtje dhe dinjitet për të gjithë fëmijët e Kosovës.

Të ngjashme