Djali i gazetarit Shefki Popova flet për vrasjen e babait në shtator të vitit 2000

Prishtinë | 02 Qer 2021 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Gazetari i Rilindjes, Shefki Popova është vrarë me 10 shtator të vitit 2000 në hyrje të banesës së tij në Vushtrri nga persona të pa identifikuar.

Djali i tij Diar Popova në RTV Dukagjini thotë se babai u vra pak a shumë në skenarin si është vrarë Xhemajl Mustafa.

Ai thotë se pak para vrasjes dikush kishte ndalur dritat në ndërtesë.

“Rreth orës 22:00 unë me të ëmën kemi qenë në banesë dhe kemi dëgjuar të shtënat. Më pas kanë dalë fqinjët dhe kemi dëgjuar zëra, për të kuptuar më pas se ishte prindi ynë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se supozohet se dy persona e kanë pritur gazetarin para derës së shtëpisë ku edhe është kryer ekzekutimi.

Diar Popova thotë se babai i tij ka qenë ndër gazetarët e parë që është futur në Prekaz në luftën e Adem Jasharit.

“Babi im ka ditur shumë për luftën e Adem Jasharit. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja e vrasjes së tij. Shtëpia jonë ka qenë qendër telegrafike në atë kohë. Babai im për katër ditë ka udhëtuar çdo ditë nga Vushtrria nga Prekaz për të marrë informacionet”.

I biri i Shefki Popovës thotë se babai i tij dha shumë për Kosovën dhe është e pakuptimtë që ai nuk u la ta shijojë lirinë e Kosovës.

Të ngjashme