Djokovici në darkë me kriminelin e luftës dhe mikun e Ratko Mladicit

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Novak Djokovic është fotografuar përkrah ish-komandantit të njësisë famëkeqe paramilitare dhe kriminale të Serbisë “Ujqit nga Drina”, e cila është përgjegjëse për kryerje të gjenocidit kundër myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Fotografi të publikuara në rrjetet sociale të dielën e shfaqin tenistin numër një në botë Djokovic ulur në një tavolinë pranë Milan Jolovicit, ish-komandantit me nofkën “Legjenda”, raporton Gazeta Express.

Në Serbi Jolovic nderohet si shpëtimtari i jetës së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladic, gjatë luftës në Bosnje në fillim të viteve 1990-ta.

Djokovic, babai i të cilit u lind në Zveçan, njihet si mohues i krimeve serbe në Bosnje dhe Kosovë dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.

Fotografitë e Djokovicit me Jolovicin u publikuan më vonë edhe në mediat serbe.

Djokovic (në mes) dhe Jolovic (në të djathtë) gjatë një takimi në Bosnje

Në vitin 2017, Gjykata e OKB-së e shpalli Mladicin, ish-gjeneralin serb të Bosnjës, fajtor për krime lufte në Bosnje dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.

“Ujqit e Drinës” ishte një njësi ushtarake e ushtrisë së Republikës Srpska, e cila mori pjesë në vrasje masive të boshnjakëve të Srebrenicës, që më vonë u cilësua si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Gjatë një vizite së fundmi në Bosnje, Djokovic u pa duke kënduar në një dasmë bashkë me anëtarin serb të presidencës së Bosnjës, Molorad Dodik, i cili është i njohur si mohues i gjenocidit dhe i cili vazhdimisht bën fushatë për ndarjen entitetit të Bosnjës të udhëhequr nga serbët, Republika Srpska, nga Bosnja.

Eksperti politik Jasmin Mujanoci shkroi në Twitter se Djokovic me gjasë nuk do ta humbë as një sponsor për shkak të lidhjeve me figurat kontroverse.

Të ngjashme