DnV: Vendimet e PZAP-it për rinumërim të tërësishëm, mund të dëmtojnë integritetin e zgjedhjeve

Prishtinë | 23 Nën 2017 | 15:19 | Nga

Demokracia në Veprim (DnV) gjatë vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve për raundin e dytë për kryetarë të komunave, nuk ka evidentuar parregullsi serioze apo mospërfillje të procedurave zgjedhore të cilat mund të dëmtonin procesin apo të devijonin votën e qytetarëve. Konstatimet tona janë konfirmuar edhe gjatë pranimit të kutive të votimit dhe procedimit në mënyrë të rregullt të Formularëve të Përputhjes së të Dhënave dhe Rezultateve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Meqenëse kishte një proces të rregullt zgjedhor, jemi të habitur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të urdhëruar rinumërim të tërësishëm në komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, si dhe rinumërim të pjesshëm në komunën e Dragashit dhe Rahovecit, transmeton EO.

Pavarësisht asaj që disa vende praktikojnë rinumërimin në rast të diferencës së ngushtë të rezultateve, një praktikë të tillë nuk e parasheh legjislacioni i Kosovës. Vendimet pa bazë të mjaftueshme mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve, të cilat nga të gjithë akterët u cilësua si ndër proceset më të mira zgjedhore në Kosovë.

Në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje subjekteve politike të përfshira në këtë proces që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe kontestimit të procesit zgjedhor dhe gjithashtu të mos ushtrojnë presion ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin e vendimeve. Në anën tjetër subjektet politike duke dërguar vëzhguesit e tyre në procesin e rinumërimit do të kontribuojnë që ky proces të ketë transparencë dhe legjitimitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme