Dodik: Pacolli nuk është i mirëpritur në Bosnje

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 18:26 | Nga

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, e dënoi vizitën e planifikuar në Bosnje të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, për një takim të bashkëpunimit rajonal.

Dodik tha se vizita e Pacollit në Banja Llukë – për tubimin e së mërkurës të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore – nuk është e pranueshme.

“Republika Sërpska nuk e ka dhënë pëlqimin që Bosnja të njohë të ashtuquajturin ministër të Kosovës, të atij vendi të rremë, i cili nuk mund të mirëpritet në Republikën Sërpska”, tha Dodik.

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, tha se Pacolli do të shkojë në Banja Llukë me pëlqimin e Serbisë.

“Përfaqësuesi i së ashtuquajturës Kosovë do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit, sipas marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe me pëlqimin e Beogradit”, tha Crnadak të dielën.

Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe dy vendet kanë barriera në udhëtim dhe tregti.

Përveç Crnadakut dhe Pacollit, në takimin në Banja Llukë do të marrin pjesë edhe ministrat nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Turqia, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme