Doktori i QKUK-së ka një mesazh për të sëmurët me diabet në kohën e festave: Kujdes nga ushqimet jo të shëndetshme

Prishtinë | 31 Dhj 2019 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Specialisti i Endokrinologjisë dhe Farmaceutike klinike, dr. Elton Bahtiri, ka dhënë disa këshilla për të sëmurët me diabet se si të kujdesen pë shëndetin në kohë festash.

Shkrimi i plotë me këshilla nga doktori e Elton Bahtiri për pacientët që vuajnë nga sëmundja e sheqerit:

Këshilla për pacientët me sëmundje të sheqerit: A jeni të përgatitur për festë?

Prof. Ass. Dr. Elton Bahtiri,

Specialist i Endokrinologjisë dhe specialist i Farmakologjisë klinike

Për diabetikët, sezoni i festave është një sprovë, sepse ëmbëlsirat, ushqimet joshëse dhe pijet me kalori janë kudo. Kjo mund të vështirësoj mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak. Për fatin tuaj të mirë, po i ndoqët këshillat në vijim, mund t’i shijoni ditët festive pa kompromentuar me atë rast vetë-menaxhimin e sëmundjes së sheqerit.

1. Pini ujë para ushqimit

Pijeni një gotë ujë që në fillim, sepse uji do t’u jap ndjenjën e ngopjes më herët dhe ua pakëson oreksin.

2. Argëtim pamasë por ushqim me masë

Ditëve festive është e lehtë që të teprohet në të ngrënë, për shkak të “ngrënies së pavetëdijshme” në bashkëbisedim e sipër.  Ndonëse vetëpërmbajtja nga ushqimet që keni para vetes mund të jetë rraskapitëse dhe mund të shkaktoj ndjenjën e të qenit i huaj në mes miqsh, mos hiqni dorë. Jini të kujdesshëm për madhësinë e porcionit tuaj!

3. Hani ngadalë

Keni ushqim të bollshëm dhe të llojllojshëm para vetes, por askush nuk po ju ngutë. E keni tërë natën e Vitit e Ri para jush, prandaj mos e mbani thikën dhe pirunin tërë kohën në duar. Hulumtimet kanë dëshmuar se të ushqyerit e ngadalshëm e rritë ndjenjën e ngopjes dhe e pakëson urinë. Për më tepër e favorizon dhe humbjen e peshës, por qartazi ky nuk është qëllim i realizueshëm gjatë ditëve festive.

 4. Sa më shumë perime dhe sallata

Vëllimi i ushqimit është i rëndësishëm, prandaj mbusheni pjatën tuaj me perime të ziera ose të pjekura të dimrit dhe sallata. Ato, përveç se ju ndihmojnë të ngopeni, ju sigurojnë lëndë ushqyese të rëndësishme. 

5. Shmangini pijet alkoolike

Këshillohet përdorimi me masë apo shmangia e plotë e pijeve alkoolike, të cilat janë shpesh pjesë e tryezës festive. Pijet e tilla kanë shumë kalori dhe mund të rrisin sheqerin në gjak, ndërsa konsumimi i alkoolit nga pacientët që trajtohen me preparate insulinike apo antidiabetikë oral (hapa që e ulin sheqerin në gjak si psh. Glimepiride apo Repaglinid) mund të rrisë rrezikun e hipoglikemisë (rënjes së sheqerit në gjak). 

6. Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik është gjithmonë i rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të sëmundjes së sheqerit. Poqëse nuk mbretëron mot i ftohtë jashtë, pasi keni përfunduar së ngrëni darkën, mund të dilni për një shëtitje më të gjatë, pse jo edhe deri në ndonjërin nga sheshet e qytetit tuaj ku organizohet pritja e ndërrimit të moteve.  Edhe në shtëpitë apo banesat tuaja mund të jeni aktiv. Po e zëmë mund të angazhoheni gjatë përgatitjes dhe servimit të ushqimit, por edhe më vonë gjatë pastrimit të rrëmujës që zakonisht mbetet prapa mbi tryeza e tavolina.

Mos u brengosni tej mase nëse, përkundër përkushtimit tuaj, gjërat gjatë ditëve/netëve festive nuk kanë shkuar siç keni planifikuar. E keni tërë vitin e ri para vetes për të marrë vendime, për të bërë ndryshimin dhe për të rivënë gjërat në binarët e duhur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme