Domoshi shpreh ngushëllime për vdekjen e këngëtarit Isë Llapqeva

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka ngushëlluar familjen Llapqeva për ndarjen nga jeta të këngëtarit Isë Llapqeva.

Përmes këngës, Isa, ka përcjellë tek populli ynë vlerat e mirëfillta të këngës, historisë e kulturës autoktone shqiptare duke kontribuuar në pasurimin e trashëgimisë tonë, ka shkruar Dumoshi.

Postimi i plotë:

“E nderuara familje Llapqeva,

Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj, artistit tonë të këngës folkorike, Isë Llapqeva.

Përmes këngës, Isa, ka përcjellë tek populli ynë vlerat e mirëfillta të këngës, historisë e kulturës autoktone shqiptare duke kontribuuar në pasurimin e trashëgimisë tonë.

Isa me bashkëpunimet e tij me shumë këngëtarë tjerë, folkloristë e rapsodë, ka lënë një veprimtari të pasur e cila identifikohet si krijimtari popullore folklorike e rapsodike e cila shërben në kultivimin e mëtejmë të trashëgimisë shpirtërore e të kujtesës.

Me zërin e tij, nën tingujt e çiftelisë e sharkisë, Isë Llapqeva, ka përcjellë tek brezat e rinj historinë tonë e cila është transmetuar nëpërmjet këngës. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe mosprania e tij do të jetë një mungesë jo vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij por do të jetë edhe një mungesë për krijime e vlera të reja në folkorin tonë.

E kujtojmë me pietet rapsodin Isë Llapqeva dhe shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin dhe trashëgiminë e pasur që ka lënë pas.

Ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve dhe të gjithë artdashësve të këngës së Isë Llapqevës”.


Të ngjashme